Biznesmeni nga Kosova, Ramiz Kelmendi ka lëshuar akuza të rënda ndaj Erion Velaijt duke u shprehur se ky i fundit i ka thënë se toka të cilën ai ka paguar rreth 1.6 milion euro nuk ka probleme pronësie.
Sipas tij, mungesa e transparencës dhe seriozitetit nga ana e Veliajt është një krim i organizuar mes Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenëve të ndryshëm, të cilët synojnë ti shkaktojnë dëme kompanisë së tij.
Kelmendi ka akuzuar Veliajn se ka qenë mbështetës i investimit, deri në momentin që janë paguar 1.6 milionë euro për leje dhe taksën e infrastrukturës.
Por pas pagimit të shumës prej 1.6 milionë Eurosh nga firma e Kelmendit, Veliaj i ka kërkuar përfaqësuesit të biznesmenit kosovar, që toka ti falej bashkisë si formë dhurate.
Këtu kanë nisur edhe përplasjet, që kanë arritur kulmin me shkatërrimin nga Bashkia e Tiranës të investimit të bërë nga firma nga Kosova investim i cili bashkë me çmimin e pronës kap një vlerë prej 6.6 milion euro.
Pjesë nga intervista e dhënë për gazetarin Alen Xhelili:
Sa para është paguar nga ju?
Janë paguar 1.6 milionë euro për dokumentet dhe lejet e bashkisë.
Keni qenë në dijeni nga bashkia për shpronësim apo për zhvillime të tjere?
Procesi i lejeve ka zgjatur më shumë se 2 vite dhe gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë diskutim për zhvillime. Kam biseduar me bashkinë dhe me Veliajn dhe e kam pyetur a ka zhvillime dhe më është shprehur se nuk asnjë zhvillim, pasi terminali sipas tij ka tokën e vetë.
Ai nuk na ka thënë asgjë në lidhje me leje zhvillimore apo gjë tjetër.
Nëse do ishit në dijeni të një projekti, do kishit aplikuar për leje dhe të kishit paguar 1.6 mln euro?
Unë e kam pyetur kryebashkiakun a është e lirë kjo pronë? Për asnjë moment, deri kur kam paguar paratë gjithçka më kanë thënë se është e rregullt dhe ligjore. Nuk duhej të ishin paguar të gjithë ato para. Shikoni, nëse ka dokument shpronësimi që është bërë në ministrinë e Transportit që ka pasur shpronësim dhe ka nënshkruar Veliaj për investimin, ky është një krim i organizuar mes Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenëve të ndryshëm, për ti shkaktuar dëm kompanisë time.
Kujtojmë se dy ditë më parë Kelmendi i ka dërguar një letër publike kryebashkiakut Veliaj me të cilën zbardh gjithë detajet e kësaj kontrate.
Në letër ai i kërkon ndër të tjera Veliajt të heq dorë nga këto aventura të cilat të cilat sipas tij do të dëmtojnë rëndë imazhin e të dyja palëve dhe do ndikojnë negativisht në politikat lokale për investitorët nga Kosova.
Duke shkruar rreth arsyes se pse ndodhi e gjithë kjo, Kelmendi shprehet: “Njerëzit tuaj na plotësuan me përgjigje ndaj kësaj befasie. Tani kërkohet që ne t’ua falim bashkisë pronën në fjalë. Absurd. Me keqardhje po ju theksojë se detyrimi juaj që ne ti japim Bashkisë dhuratë me shantazhim, pronën në vlerë prej mbi 5 milion eurosh, tregon një çmenduri rinore. Bile na u tha se po që se nuk e japim pronën në këtë mënyrë, ne nuk do të ndërtojmë kurrë objektin e cekur”.
Letra e plotë e Ramiz Kelmendit
Letër e hapur,
Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Erion Velijaj
I nderuar kryebashkiak Velijaj, tre vite më parë në zyrën tuaj e ku ishin prezent edhe stafi juaj professional-teknik, kërkova mendim profesional rreth blerjes së prones për ndërtimin e ETC-së.
Në pyetjen time se a ka ndonjë kontest, interes publik për parcellën në fjalë, të gjitha përgjigjet nga ana juaj ishin në favor dhe mbështetje të ketij projekti.
Sa për ri-kujtim, isha deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk prisja trajtim të veçantë, por të paktën mbajtje të fjalës dhe përkushtimin tuaj si ndaj një investitori dhe qytetari të Kosovës. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta.
Çështja u prolongua në dhënien e lejes dhe u detyrova të vij tek ju sërish në takimin e radhës 15 muaj pas takimit të parë.
Gëzova sërish të njëjtën mbështetje verbale nga ju sikur edhe në takimin e parë. Në këtë periudhë të takimit tonë të dytë isha zv/Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe sërish u trajtova si një qytetarë i thjeshtë. Nuk e kisha brengosje as kësaj radhe. Pas shumë pritjesh, pra 3 vite për të zbardhur lejen e ndërtimit (pritje e gjatë apo e shkurtër) le të vendosni ju dhe opinion), në nëntor të vitit 2018, zbardhët dokumentin për pagesën e taksës së ndërtimit dhe infrastrukturës që ishte në vlerë prej 1 milion e 680 mijë euro.
Kjo shumë u pagua nga ana jonë dhe ishim duke pritur zbardhjen formularit, që sipas ligjit duhej të zbardhej në afatin prej 5 ditësh. Kaluan ditët, afatet dhe pas tre muajve edhe pse hyri në fuqi me bazë ligjore, ne me instruksion të institucioneve ligjore filluam informimin me shkrim procedural tek të gjitha organet e nevojshme për fillimin e rrethimin dhe parapërgatitjet për vendosjen e gurëthemelit në të cilin do merrnit pjesë edhe ju si krybashkiak, për gëzimin që investimin po e bënë investitori nga Kosova. Në këtë pikë ndodhi ajo që parashihte prolongimi i lejes. Erdhën në punishte inspektorët tuaj pa asnjë vendim për të pezulluar punët dhe për të rrënuar rrethojat në orët e vona të së shtunës, duke dashur të friksojnë kompaninë ndërtuese.
Nuk e di dhe mbetem i befasuar përse ndodhi kjo ?
Njerëzit tuaj na plotësuan me përgjigje ndaj kësaj befasie. Tani kërkohet që ne t’ua falim bashkisë pronën në fjalë. Absurd. Me keqardhje po ju theksojë se detyrimi juaj që ne ti japim Bashkisë dhuratë me shantazhim, pronën në vlerë prej mbi 5 milion eurosh, tregon një çmenduri rinore. Bile na u tha se po që se nuk e japim pronën në këtë mënyrë, ne nuk do të ndërtojmë kurrë objektin e cekur.
Andaj z. Velijaj, publikisht po ju kërkoj të hiqni dorë nga këto aventura të cilat do dëmtojnë rëndë imazhin e të dyja palëve dhe do ndikojnë negativisht në politikat lokale për investitorët nga Kosova.
Ramiz Kelmendi – Deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.
(F.GJ/FAXWEB.AL)