Enkelejd Alibeaj përjashtoi ditën e djeshme nga grupi parlamentar 4 deputetë të tjerë, që janë mbështetës të Sali Berishës. Më konkretisht bëhet fjalë Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn, për të cilën është njoftuar edhe Kuvendi.
Ky vendim ka sjellë reagime nga vetë deputetët, të cilët kanë nisur menjëherë organizmin për të mbledhur firmat si shenjë kundër-reaguese për të shkarkuar Alibeajn.
Gjatë një intervistë për Fax News, deputeti i PD-së Tritan Shehu tha se vendimi për të përjashtuar deputetët nga grupi parlamentar është një urdhër që Alibeajt i ka ardhur nga regjimi, duke nënkuptuar këtu Partinë Socialiste të Shqipërisë. Ai tha se Enkelejd Alibeaj është figurë përçarëse, që dëmton Partinë Demokratike.
“Është deklaratë e urdhëruar nga të tjerë për të dëmtuar opozitën dhe PD, por që nuk ka asnjë vlerë reale. Alibeaj përfaqëson vetëm veten e tij. Alibeaj është përdorur për të krijuar këto imazhe dhe për të dëmtuar Partinë Demokratike. Ka filluar një nismë, e bazuar në një vullnet, për të krijuar një sinergji midis deputetëve. Kjo është një nismë normale, e cila ka shqetësuar regjimin dhe regjimi ka vënë në lëvizje Alibeajn. Alibeaj është përçarës dhe detyra e tij është të përçajë PD. Po, kam firmosur absolutisht dhe kam firmosur me shumë koshiencë. Ai është përçarës”, tha ai.