Pas rreth një orë e gjysmë ka përfunduar takimi i partive opozitare me presidentin Meta, i cili u mbajt në zyrën e kreut të shtetit.
Në një komunikim të shkurtër me gazetarët Dash Shehi, kreu i LZHK-së tha se do të ketë një komunikim zyrtar nga ana e presidencës dhe Lulzim Bashës lidhur me ecurinë e takimit.
“Tashi kjo është punë e gjatë shumë, presidenca do të dalë me një deklaratë vetë, edhe zoti Basha do dalë vetë me një deklaratë zyrtare, që të mos bëhet zhurmë kot, më mirë presim deklaratat zyrtar”, u shpreh Shehi.
Në takim është diskutuar mbi situatën e vështirë ku ndodhet vendi, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese si dhe Reformën Zgjedhore.
“Nisur nga situata dramatike, në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të papranueshme, ju ftoj juve dhe të gjithë kryetarët e Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejt”, shkruante Meta në ftesën ndaj opozitës të cilën kjo e fundit e pranoi.
Në takim merrnin pjesë të gjithë drejtuesit e partive të vogla, si dhe Lulzim Basha, ndërsa vihej re mungesa e drejtueses së LSI-së Monika Kryemadhi, e cila kishte dërguar në vendin e saj Petrit Vasilin.
Pas këtij takimi Meta pritet të presë dhe me ish-funksionarë të lartë të shtetit, ish-presidentë dhe ish-ministra drejtësie, me të cilët do të përpiqet që të japë zgjidhje për situatën politike në të cilën ndodhet vendi, si dhe përplasjen për Reformën në Drejtësi.
Mbërrijnë në zyrën e Metës Basha dhe aleatët, Kryemadhi surprizon me vendimin
(E.K/Faxweb.al)