Programi “EU4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP në Shqipëri, ka përfunduar ndërhyrjen në pesë institucione arsimore në Bashkinë e Kavajës, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Objektet e rehabilituara përfshijnë:
-
Shkolla 9-vjeçare “Mehmet Babamusta”
-
Shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Fiqiri Kurti”
-
Shkolla 9-vjeçare “3 Dëshmorët”
-
Shkolla 9-vjeçare dhe kopshti Karpen, Golem
-
Shkolla e Mesme Profesionale “Charles Telford Erickson”, Golem
Këto investime kanë krijuar kushte bashkëkohore mësimdhënieje për rreth 1,700 nxënës, fëmijë dhe mësues, duke ndikuar pozitivisht edhe në jetën e 41,000 banorëve të komunitetit lokal.
“Ne jemi të lumtur që në Kavajë, falë EU4Schools, kemi garantuar mjedise arsimore moderne, të krahasueshme me vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e UNDP në Shqipëri.
Bashkia e Kavajës është një nga 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti, ku është ndërhyrë përmes këtij programi. Deri më sot, janë përfunduar 59 nga 63 objekte arsimore të planifikuara, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e të mësuarit për mbi 25,000 nxënës dhe mësues në rang kombëtar.
Programi “EU4Schools” ka një buxhet prej 75 milionë euro dhe zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare.