Kursi i këmbimit eur/lek ka zbritur në nivelin e ekuilibrit rreth 136 lekë. Aktorët e tregut pohojnë se nëse vijon të ketë ofertë të lartë për valutë, në verë, kur sezonalisht ka forcim të lekut për shkak të prurjeve të emigrantëve, euro mund të zbresë edhe në 133-134 lekë…
Euro ka shënuar vetëm rënie në tregun e brendshëm gjatë muajit prill, ndonëse në tregun ndërkombëtar monedha e përbashkët ka pasur ditë të mira.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet sot me 135.42 lekë, duke shënuar të katërmbëdhjetën ditë radhazi me rënie. Sot tkurrja ka qenë më e fortë me 0.11 lekë.
Ndërsa dollari është forcuar me 0.14 lekë, duke u këmbyer me 127.43 lekë.
Euro arriti në bursa nivelin më të lartë të muajit prill gjatë ditës së djeshme, duke iu afruar kufirit të 0.17 USD, pas deklaratës së presidentit amerikan që tronditi bursat se dollari është shumë i fortë. Pas një rënieje në mëngjes, euro e mori sërish veten në tregtimet e mesditës.
Por, në tregun e brendshëm, monedha vendase vijon të jetë e nënçmuar, duke reflektuar ofertën e lartë për këtë valutë dhe kërkesën e dobët. Përgjithësisht në muajit prill, euro në tregun vendas ka pasur tendencë forcuese, teksa pas mbylljes së bilanceve bizneset e huaja fillojnë e transferojnë fitimet (shiko grafikun e ecurisë së kursit në 2016), por këtë vit kjo tendencë sezonale nuk po konstatohet më. Euro në tregun vendas ka qenë përgjithësisht e dobët që nga tetori i vitit të kaluar de arriti nivelin më të ulët që nga viti 2009 në 22 dhjetor 2016, në 134.4 lekë..
Për periudhën janar-14 prill 2017, kursi mesatar i euro ishte 135.8 lekë, nga 138.4 lekë që kishte kjo mesatare për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pasi qëndroi në ekuilibrin e 139-140 lekëve për periudhën 2011-2015, euro u zhvlerësua ndjeshëm në 2016-n, duke e mbyllur vitin në një mesatare prej 136.1 lekësh. Më shumë se ecuria e kursit në tregjet ndërkombëtare, kursi është ndikuar nga faktorë të brendshëm të kërkesë ofertës.
Sipas Bankës së Shqipërisë arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë përgjithësisht, ecuria e kursit USD/Eur në tregjet ndërkombëtare reflektohet kryesisht në kursin Dollar/Lek në vend.
Tashmë duket se kursi i këmbimit eur/lek ka zbritur në nivelin e ekuilibrit rreth 136 lekë. Aktorët e tregut pohojnë se nëse vijon të ketë ofertë të lartë për valutë, në verë, kur sezonalisht ka forcim të lekut për shkak të prurjeve të emigrantëve, euro mund të zbresë edhe në 133-134 lekë./ monitor