Monedha e përbashkët ka shënuar sërish një rekord të ri të ulët në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 126.49 lekë, rreth 0.23 pikë më pak se një ditë më parë. Euro e nisi ditën e djeshme duke rikuperuar pikë përkundrejt lekut vendas, pas një jave ku humbi më shumë se 0.53 pikë.
Sipas ekspertëve të kursit të këmbimit aktualisht po ndikojnë efektet sezonale. Ata argumentojnë se sezoni turistik ka nisur më shpejt. Duke u bazuar në ecurinë shumë vjeçare të kursit të këmbimit sipas aktorëve kryesorë të tregut, nëse euro do t’i nënshtrohet trendëve të viteve të mëparshme, dy do të jenë periudhat e dobëta për të. Me përfundimin e muajit të Ramazanit, sipas ekspertëve pritet që të rriten flukset e turistëve nga Kosova dhe për rrjedhojë do të rritet më tej oferta në valutë. Ndërsa periudha e dytë parashikohet gushti, i cili është muaji ku shtohen flukset e emigrantëve që kthehen në atdhe për pushime dhe sjellin dhe remitanca për të afërmit e tyre.
Ekspertët vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit se shkak për rënien e valutës janë prurjet nga aktivitete jo të ligjshme dhe shtojnë se zhvillimet në kursin e këmbimit janë jashtë konceptit ekonomik (jo të ndikuar nga faktorë të matshëm).
Aktorët kryesorë të tregut thanë për Monitor se për shkak të rënies së vazhdueshme të euros, individët që kanë kursime në valutë kanë nisur që të këmbejnë në monedhën vendase për shkak të frikës së rënies së mëtejshme.
Dollari amerikan shënoi rritje rekord në tregun vendas. Një dollar u këmbye me 109.6 lekë, rreth 1.17 lekë më shumë se një ditë më parë, duke rikuperuar pikë nga zhvlerësimi që pati në muajt e parë të 2018-s. Ekspertët e e këmbimit valutor argumentojnë se monedha e gjelbër do të jetë nën ndikimin e zhvillimeve ndërkombëtare. Aktualisht euro është dobësuar në tregjet ndërkombëtare për shkak të fitores së partive të ekstremit të majtë në Itali. Ndërsa dollari ka reflektuar besim tek investitorët pas zhvillimeve pozitive për të arritur një marrëveshje midis SHBA dhe Koresë për armët bërthamore.