E ardhmja e Europës është në rrezik dhe arsyet shkojnë përtej sfidave të dukshme siç është kriza e emigracionit dhe trazirave politike që çuan drejt Brexit-it, komenton Forumi Ekonomik Global.
Gjatë 12 viteve të fundit, pjesa e PBB-së botërore që zë Bashkimi Europian ka rënë nga 32% në 23%. Megjithëse është e vështirë që të imagjinosh kontinentin si qendër të industrisë përsëri, BE-ja ka mjetet për të ndryshuar këtë trend. Mund të përfitojmë nga revolucioni i katërt industrial, një valë e ndryshimeve në epokën dixhitale, dhe të nxisim rajonin në një fazë të rritjes së qëndrueshme, nëpërmjet kombinimit të politikave afatgjata, inovacionit, dhe bashkëpunimit midis qeverive dhe bizneseve.
Europa Qendrore dhe Lindore ka potencialin që të luajë një rol themelor në të ardhmen e kontinentit. Për pesë vitet e fundit, rajoni shënoi një rritje mbresëlënëse në Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit si raport ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në Bullgari u rrit nga 1.3% në 2012-n në 3.3% në 2016-n.
Në vend që të konkurrojmë me tregjet e vogla të rajonit, ne mund të krijojmë një objektiv inteligjent të specializimit, duke nxitur zonat ekzistuese të ekspertizës por edhe duke krijuar zona të reja. Në këtë mënyrë, industria e brendshme do të nxitet që kapërcejë kufijtë e tregjeve europiane, pa iu dashur që të konkurrojë me rajonin.
Nga një vështrim i shpejtë në tregun e investimeve të Europës Qendrore dhe Lindore do të shikojmë se Polonia ka një ekosistem shumë të mirë të start-up-eve në një numër sektorësh, por me një vlerë të përqendruar në automatizmin e marketingut. Tashmë ka një kompani unicorn (start-up me vlerë 1 mld dollarë), Allegro, dhe dy kompani të tjera rrugës për të qenë unicorn.
Ndërkohë, Republika Çeke dhe Rumania janë bërë shtylla të vërteta për sigurinë kibernetike europiane, me start-up-e siç është Avast Software, Bitdefender dhe Typing DNA, ndërsa Bullgaria tashmë ka arritur suksesin në TIK me anë të kompanisë Telerik, e cila u ble nga Progress Software për 262.5 milionë dollarë në vitin 2014.
Në Sllovaki, kompania e zhvilluar inxhinierike Aero Mobik po zhvillon makinën e parë fluturuese në botë dhe po pret që të marrë porosi këtë vit.
Revolucioni i katërt industrial dhe teknologjitë e reja do të jenë udhërrëfyesi i ri i rrugës drejt një të ardhme më të mirë.
Në shumë drejtime, industria në Europën Qendrore dhe Lindore ka mbetur në periudhën sovjetike. Në vitet e fundit, qeveritë në rajon kanë diskutuar më shumë në lidhje me riindustrializimin e vendeve të tyre. Por në vend që të shpenzojnë më shumë para në kapacitetet e reja të industrisë prodhuese, shtetet duhet të mbështesin “mendjet e ndritura” në programe më efikase.
Specializimi duhet të reflektohet në sistemin e arsimit të rajonit, si dhe në kornizën ligjore.
Nga Luksemburgu në Shqipëri
Inovacioni ekonomik dhe industrial nuk mund të arrihet pa legjislacionin e nevojshëm dhe mbështetjen qeveritare. Luksemburgu sapo është bërë shteti i parë në botë me ligje të cilat rregullojnë burimet në hapësirë dhe Estonia vendi i parë që prezantoi shtetësinë elektronike, kështu që u mendua legjislacioni i duhur për të mbështetur zhvillimin dixhital të EQL. Një shembull i mundshëm vjen nga Shqipëria, shkruhet në artikullin e Forumit Ekonomik Botëror, ku start-up-et kanë mundësinë që të nisin me taksa zero deri sa të jetë arritur një nivel i caktuar të ardhurash.
Gjithashtu duhet dhe një specializim i qartë për të përgatitur nxënësit për nevojat e tregut të ardhshëm.
Në ditët e sotme, shumë pak njerëz përfitojnë nga njohuritë e tyre në fizikë apo në kimi. Të mësuarit të fëmijëve që të programojnë është e njëjtë si t’i mësojmë që të ngasin një taksi, është një aftësi që nuk do t’i ndihmojë që të punësohen, pasi automatizimi të ketë arritur potencialin e plotë.
Ne duhet të ndërtojmë sisteme edukimi që të nxisin mendimin kritik, krijimtarinë dhe punën në skuadër, pasi këto do të jenë aftësitë që do të kërkohen në të ardhmen, përfundon artikulli i Forumit.
Edhe Këshilli i Investimeve në Shqipëri ka rekomanduar në të njëjtën linjë. Në raportin e fundit të Këshillit, që fokusohet në hendekun e burimeve njerëzore, thuhet: Të konsiderohet sa më parë integrimi i njohurive bazë në nivele të caktuara të arsimimit, me fokus: aftësitë analitike (problem solving-zgjidhjen e problemeve), gjuhët e huaja, aftësi në Microsoft, Aftësi në Komunikim.
Njohuritë për “aftësitë e avancuara” janë kritike për performancën e biznesit/sektorit, ndërkohë që rezulton se ka një “hendek” me cilësinë e kurrikulave në nivele të caktuara të edukimit, rekomandon Këshilli./ monitor