Pothuajse e gjithë Europa është e mbërthyer nga moti i ftohtë me erëra të forta dhe stuhi të fuqishme që kanë shkaktuar kaos në trafik, ndërprerje të energjisë elektrike dhe vonesa në udhëtime. Problemet me energjinë elekrike janë shfaqur në edhe në Francë ku në 350 mijë shtëpi u ndërpre përkohësisht energjia elektrike, ndërsa paralajmërime të shumta për përmbytje janë në fuqi në brigjet lindore të Anglisë. Ndërsa Gjermania po përgatitet për shira të rrëmbyeshëm. Situata e vështirë me rreshjet e dëborës mbetet edhe në Ballkan dhe Turqi.
Organizata Botërore Meteorologjike deklaron se ndërkohë se moti i keq është përgjegjës për një numër të madh aksidentesh rrugore, mbylljen e shkollave dhe anulimet e fluturimeve. Organizata po ashtu paralajmëron për pasojat e motit të ftohtë tek të pastrehët dhe emigrantët. Zyrtarët janë veçanërisht të shqetësuar për vuajtjen e këtyre grupeve në Greqi dhe Serbi. Mijëra emigrantë në Ballkan jetojnë në tenda pa pasur shumë mundësi ngrohjeje. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNHCR, më herët tha se disa emigrantë kishin humbur jetën si pasojë e të ftohtit në Bullgari. Disa vende, po përjetojnë edhe reshjet më të mëdha të borës në shumë vite me lumin Danub dhe ngushticën e Bosforit që janë mbyllur për lundrim.
Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Bullgaria, kanë parë një valë të pazakontë të ftohti me temperatura që shkonin edhe nën -15 gradë celsius për mbi pesë ditë radhazi. Vendet përreth, si Italia, Greqia, Turqia dhe Rumania, kanë regjistruar temperatura 5 deri në 10 gradë më të ulëta se normalja. Vala e të ftohtit në të gjithë Europën, ka marrë deri më tani më shumë se 65 jetë njerëzish, e vetëm në Ukrainë, temperaturat nën zero kanë shkaktuar 40 viktima që nga të ftohtit, shkruan Top Channel. (J.V/Shuplaka)