Policia Europiane (Europol) publikon listën e personave më të kërkuar në BE gjatë muajit dhjetor. Në këtë listë përfshihen edhe dy shqiptarë.
Aleks Burreli dhe Durim Gremaj, janë dy prej personave më të kërkuar nga Europoli për muajin dhjetor.
Kjo listë është bërë publike vetëm pak ditë më parë nga faqja zyrtare e Europolit. Mes tyre, sapo hap faqen, renditen edhe emrat e Aleks Burrelit dhe Durim Gremajt. Bashkëngjitur me fotot e personave më të kërkuar për dhjetorin nga Europoli janë dhe skedat e krimeve të tyre.
Aleks Burreli:
Aleks Burreli, 48 vjeç, dyshohet se mori pjesë në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Qipro, rreth orës 22:10 të datës 23 qershor, në Agia Napa.
Burreli dyshohet se ka hyrë brenda në një restorant dhe ka qëlluar duke lënë të vdekur pronarin, një oficer policie dhe gruan e tij. Krimi ka ndodhur në sytë e fëmijëve të mitur të çiftit të vrarë. Në ngjarje mbeti i plagosur dhe një oficer policie. Burreli gjithashtu dyshohet se ka ekzekutuar bashkëpunëtorin e tij në krim.
I kërkuari nga Europoli u largua nga vendngjarja me një makinë e cila më pas u gjet e djegur, por autoritetet hetimore europiane dyshojnë se Burreli mund të ketë kryer edhe vrasje të tjera për llogari të krimit të organizuar.
Durim Gremaj:
Shqiptari tjetër më i kërkuar nga policia europiane është Durim Gremaj, 43 vjeç. Ai është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka shfrytëzuar forcërisht për ushtrim prostitucioni një grua me të cilën kishte patur edhe raporte të tjera. Gremaj është shpallur në kërkim nga autoritet holandeze, pasi dyshohet se në Holandë dhe në Spanjë e ka detyruar gruan të ushtrojë prostitucion.
Europol dyshon se shqiptari Durim Gremaj mund të jetë aktualisht në Spanjë ose në ndonjë vend tjetër brenda BE-së. Ai njihet edhe me emra të tjerë si Arben Braka, Elton Gremaj, Durim Gremi apo dhe me pseudonimin “Kalle”.
Në këtë listë përmenden edhe emra të tjerë të shqiptarëve nga Kosova.