Donald Trump ka njoftuar mbajtjen e një eventi të UFCsë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2026, si pjesë e programit të ngjarjeve “Amerika 250”, për 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë. “Secili prej parqeve tona kombëtare, fushave të betejës dhe vendeve historike do të ketë ngjarje të veçanta në nder të ‘Amerika 250’. A e ndjek ndokush UFC-në e të madhit Dana White? Epo, do të kemi një ngjarje të UFC-së në terrenet e Shtëpisë së Bardhë.
Kemi shumë hapësirë dhe do të ndërtojmë diçka unike. Dana do ta bëjë, ai është i shkëlqyer”, deklaroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara në një njoftim zyrtar, duke vlerësuar kreun e ligës më të famshme të arteve marciale të mikse. Trump u shpreh se një ngjarje zyrtare e UFC-së në Shtëpinë e Bardhë mund të ndiqet nga rreth 20,000 apo 25,000 spektatorë. “Si pjesë e ‘Amerika 250’, do të kemi ngjarje të jashtëzakonshme, disa profesionale dhe disa amatore.
Por kjo ndeshje e UFC-së do të jetë shumë e rëndësishme në financimin e përmirësimeve dhe pasurimin e përvojave në të gjithë sistemin e parqeve kombëtare”, u shpreh numri një i SHBA-ve. Kalendari i UFCsë për vitin 2026 nuk është zbuluar dhe deri më tani, janë planifikuar vetëm katër data të tjera për pjesën e mbetur të vitit 2025. UFC 318 mes Poirier dhe Holloway në Nju Orlins (19 korrik), UFC 319 mes Du Plessis dhe Chimaev në Çikago (16 gusht), UFC 320 në Las Vegas (4 tetor) dhe UFC 321 në Abu Dabi (25 tetor).
Eventi në Shtëpinë e Bardhë mund të bëhet ngjarja më e madhe e vitit. Tashmë e gjithë bota e arteve marciale mikse pret me kureshtje të madhe zbarkimin e nivelit më të lartë të këtij sporti në Shtëpinë e Bardhë, në një event që pritet të shikojë në kafaz kampionët më të mëdhenj të këtij sporti.