Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se projekti i minishengenit nuk mbështetet nga liderët evropianë. Në një intervistë për televizionin serb “O2”, Vuçiç me ironi ka thënë se BE kërkon që të jetë vetëm ajo që të marrë vendime për Ballkanin, ndërsa ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama për hapin e hedhur.
“Shumë në Evropë nuk pëlqejnë të shikojnë Ballkanin teksa i jep formë fatit të tij. Kur ata nuk janë në karrige për të vendosur për ne, ndihen shumë parehat. Me gjithë mosmarrëveshjet që ne kemi në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, në këtë drejtim, ekonomikisht, Edi Rama ka treguar guxim të madh”, tha Vuçiç.
Ai ka renditur edhe disa nga benefitet e Serbisë nga minishengeni ballkanik. “Nëse ne reduktojmë pengesat kufitare, do të kursejmë 2,5 miliardë euro në total, me Serbinë që kursen e vetme të paktën 1 miliard euro. Imagjinoni se çfarë mund të bënte Serbia me ato para. Do të tërheqim dhe më shumë investitorë pasi ata do të ndiheshin shumë më mirë në një treg më të gjerë”, ka deklaruar Aleksandar Vuçiç.
(M. I./ Faxweb.al)