Nga Namir Lapardhaja
E shkruar afërsisht një shekull më parë, vepra letrare e Faik Konicës mbetet aktuale. Tematika e zgjedhur, problematika e trajtuar, portretizimi mjeshtëror i personazheve, i karakteristikave dhe veseve, të ngjan sikur po lexon Shqipërinë e tranzicionit. Konica lindi më 15 mars 1875 dhe vdiq më 15 dhjetor 1942. I shkolluar në “Harvard University”, i mbrujtur me një kulturë të gjerë dhe erudicion të thellë, ai është një ndër personalitetet më të mëdha të kulturës sonë. Së bashku me Kutelin dhe Koliqin, është një ndër themeluesit e prozës moderne dhe të kritikës letrare.
Me revistën “Albania”, u bë nismëtar dhe promovues i shumë shkrimtarëve të rinj. Është eseist, poet, publicist, studiues dhe diplomat. Do të ndalem shkurtimisht në disa prej veprave të tij më përfaqësuese, të cilat, përsa i përket tematikës dhe problematikës së trajtuar, bëjnë diferencën nga të tjerat, duke u shndërruar në të pavdekshme. Te dy prej tyre, siç do ta shohim, Konica fshihet pas personazheve të tij, ndërsa te “Shqipëria si m’u duk”, ai vetëshfaqet si rrëfimtar, ndërkohë që teksti ka formën e një eseje.
Në qendër të prozës “NJË AMBASADË E ZULLUVE NË PARIS” është Zullullandi, një vend në lindje të Afrikës. Njerëzit që rrojnë në të janë negër, të egër dhe të pakulturuar. Fabula përqëndrohet te Denizullu-Serpe, përfaqësues i zulluve në Paris. Me injorancën dhe padijen e Serpes tallen kancelaritë e Parisit dhe të Londrës, ndërkohë që në vend atë e presin me nderime.
Në këtë peizazh, ku mbizotëron injoranca, padija, fodullëku dhe vetëpëlqimi, ekziston një negër, që jeton veçmas të tjerëve. Quhet Plug. Është i ri që lexon përditë libra, dhe në gojë ka gjithmonë shprehjen: “Vetëm gjysmë të mësuarit kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet.” Te personazhin i Plugut, Konica ka mishëruar vetveten, me idetë dhe shqetësimet e veta. Plugu është një vegël bujqësore prej hekuri për të punuar tokën.
Nëpërmjet këtij emri, mesazhi i Konicës është i qartë: shqiptarët kanë nevojë të plugojnë mendjen e tyre, të heqin dorë nga prapambetja, të këqiat, të kulturohen dhe të zhvillohen. Plugu është i lëçitur dhe natyrshëm futet në kontradiktë me zullutë e tjerë. Kur të gjithë lexojnë përgjigjet që ambasadat e Parisit dhe të Londrës i kanë kthyer Denizullu-Serpies, i vetmi që e kupton talljen është ai. Në një moment, ndalet e u thotë: “Ta dini se ne, në sy të Evropës së qytetëruar, jemi negër, dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zëni besim raporteve që thonë gjëra të mira për ne – dhe mbase një ditë dalim të rritur përpara botës”.
Fjalët e Plugut janë mjaft aktuale. Mesazhi është universal dhe i përhershëm. Shqiptarë, ulni kokën, mësoni dhe punoni, mos prisni prej të tjerëve. Ndryshimin mund ta bëni vetë, të tjerët kanë interesat e veta, jo tuajat. “Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla.” – thotë ai. Turma e urren Plugun. Më të drejtë. Ai nuk është si ata. Në çastin që fillon e reciton disa vjersha në një stil të pëlqyer në Zullullandë, të tipit: “Ajo vajzë e huaj,/që u lind pas nëntë muaj// Sikur t’ish lindur pas shtatë/Ndoshta s’do t’ish aq’ e gjatë…” etj., ata e thërrasin, ndalojnë dhe shohin tek ai të ngjashmin, vetveten. E gjithë urrejtja dhe moskuptimi, kthehen në dashuri dhe miqësi. “Ndofta fajin e kam pasur vetë, se desha të bëj të pamundurën: desha të lëroj shkëmbin.” – përfundon Plugu.
Tek eseja “SHQIPËRIA SI M’U DUK”, rrëfimtari vetidentifikohet me Konicën, që flet për kthimin në atdhe pas një periudhë të gjatë. Tregon ndryshimet që ka pësuar vendi në drejtimin e Mbretit Zog dhe në këtë kohë, pavarësisht se vendi ecën përpara, nuk mund të mungojnë problematikat. Mbreti zë një vend të rëndësishëm në këtë tekst. Ai flet për njohjen e vjetër me të, për raportet, miqësitë dhe shijet e tij. Gjithashtu, për përpjekjet e Zogut për të krijuar një shtet modern dhe të qëndrueshëm. Raportet e Konicës me Zogun kanë qenë shpeshherë kontradiktore. Përveç vlerësimit që ka për Mbretin, te “Shqipëria si m’u duk”, ai flet për tri kategori mjaft të përhapura në Shqipërinë e kohës: 1. Ekspertët; 2. Robotët ose Njerëzit-Makina; 3. Levantinët.
Të parët janë ata që marrin përsipër të flasin për gjithçka, duke pretenduar se i dinë të gjitha. E botojnë injorancën dhe nuk kanë skrupuj, frikë apo turp, ngase i mbytë padija dhe miopia, ndërkohë që krekosen dhe mbahen me të madh. Kategoria e dytë janë njerëzit e robotizuar si pasojë e burokratizimit të tejskajshëm, duke u bërë robër të ideve mekanike e duke e shndërruar qenien në një makineri pa ndjenja, pa mend dhe pa arsyetim. Këta janë shumë të dëmshëm, ngase pengojnë veprimtarinë noramle të administratës dhe të punëve të një shteti. Levantinët përbëjnë një kategori më vete. Ata mendojnë se çdo gjë e vjetër në Shqipëri u duket e poshtër dhe qesharake.
Besojnë verbërisht te të huajt, dhe se “çdo i huaj, i çfarëdo dege a zotësie që në qoftë, makar një çirak bakalli, është më i mirë dhe më i lartë se ata”. Sipas Konicës, “Levantinët më parë se çdo gjë tjetër, janë imitonjës, – janë domethënë, njerëz që kanë përpara syve të mendjes së tyre një shembull qytetërie a stërvitjeje, të cilën dëshirojnë ta arrijnë”. Të tria këto kategori që përmend ai ne mund t’i shohim përditë në realitetin shqiptar.
Padyshim që proza më e arrirë koniciane, edhe pse e lënë përgjysmë si të tjerat, është “DOKTOR GJËLPËRA ZBULON RRËNJËT E DRAMËS SË MAMURRASIT”. Nën emërtesën “përrallë”, Konica, i fshehur pas personazhit kryesor, rrëfen kthimin e vet në Shqipëri, ku përballet me një vend të varfër, të korruptuar, të paditur, të pazhvilluar, që nuk bën kurrfarë përpjekjeje për të ndryshuar. Korrupsioni ka përshirë të gjithë strukturën e shtetit, nga polici më i thjeshtë te ministri, të cilët bashkëveprojnë mes tyre, sipas ligjeve të kamorrës, mafies italiane.
Dr. Gjëlpëra, ndonëse ka ardhur për një vizitë, për të parë gjendjen dhe për të vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen, bie pre e kësaj strukture korruptive, madje bëhet pjesë e saj, duke u dhënë rryshfet, sepse nuk ka asnjë zgjidhjeje tjetër. Qoftë për të bërë keq, qoftë për të bërë mirë, në këtë vend duhet të paguash. Ai ka studiuar në vendet evropiane. Është pajisur me dije dhe njohuri të mira në fushën e mjekësisë dhe në kohën kur shtypi i Suedisë, vendi ku ai studionte dhe punonte, boton disa shkrime për ndryshimet që ndodhnin në Shqipëri, vendos të kthehet dhe të shohë mundësinë për të ngritur punën e tij. Përballja e parë është e frikshme. Doganierët e rrjepin. Policët, që u bien morrat nga koka dhe fillojnë e luajnë me ta, i kërkojnë secili më vete lekë.
“Zoti doktor, – i thotë polici që i shpjegon të gjithë mekanizmin e kamorrës në vend, – duhet që e para e punës, të kuptoni mirë dy gjëra për të bërë punë në Shqipëri: E para është, që këtu hiçnjeri s’merr rryshfet… E dyta është që këtu të gjithë duan dhurata…” Njëkohësisht i tregon se cila është zgjidhja, në një kohë që nuk është mundësia për t’u paguar të gjithë: “Ilaçi është t’u japësh cave. Cave? – po cilëve?” Kryetarit të përgjithshëm të Kamorrës, që është ministri Salemboza, këshilltarit të tij, që është Abd-el-Katli dhe agjentit të tyre, që është Ibn-el-Kelb. Veçanësia e kësaj proze janë emrat që u ka vendosur Konica personazheve të tij. Tallja dhe sakrazma e tij tregon se e keqja dhe korrupsioni duhen kritikuar dhe vënë në lojë. Doktor Gjëlpëra bashkëpunon me kamorrën. Ai takon dhe kuron ministrin Salemboza. Njihet me dr. Emrullahun, nxënësin e dr. Habibullahut, dhe dr. Protagoras Dhallën, të cilët portretizohen me nota komike, habiten me njohuritë e Dr. Gjilpërës, xhelozohen nga aftësitë e tij, madje dhe konfliktohen me të.
Mjeshtëria e rrëfimit konician bën që proza e tij, edhe pse e papërfunduar, të ngelet mjaft aktuale. Tematika dhe problematika janë universale, ndërsa mënyra e trajtimit e papërsëritshme. Shqiptarët dhe brezat e rinj duhet të lexojnë Konicën, duke qenë pjesë e programeve të detyrueshme shkollore. Teksa lexojnë prozën e tij, të rinjtë dhe të rejat duhet të pajisen me aftësinë e mendimit kritik, në mënyrë që të përmirësohen dhe të vetërregullohen. Pavarësisht se vitet kanë kaluar, problemet duken se janë të njëjta. Në vend të pesimizmit, letërsia mund të na ofrojë një dritare dhe mundësi për të parë veten në pasqyrë dhe për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës, duke u shtuar atyre të reja, edhe më të mëdha.