Nga Petrit Beci
Pse duhet të lahen në det fëmijët tanë?
Deti nuk u përket atyre. Deti është i policëve, të droguarve, miliarderëve pa punuar një ditë, oligarkëve që u bënë të tillë me lekët e shtetit dhe me zhvatjen që i bënë çdo metri katror të këtij vendi. Mirë në tokë po edhe në det kanë privatizuar çdo metër me tapat dhe litarët “private” që i vendosin deri në breg duke i bërë të mundur të paudhëve zengjinë të rinj, të shesin pordhë e t’u bëjnë poza të fortësh femrave që kanë në skafe e gomone, që vetëm femra nuk janë.
E çfarë pune kanë njerëzit që shkojnë në det? Sepse mundet që një ditë ndoshta do të fillojnë të paguajnë edhe futjen në det, se në tokë e në rërë buzë detit nuk ka shans mos të paguajnë qimet e kokës për një metër katror.
Si mundet të jetë privat e gjithë vija bregdetare, parcela-parcela, copa- copa, sikur e kanë shqyer qentë, nga derdhja e Bunës e deri në Butrint?
Në Montekarlo është 90% plazh publik e mund të vesh çadrën ku të të dojë zogu i qejfit e të heqësh pantallonat e të dalësh me të brendëshme, madje të vjen polici apo ai që mbikqyr bregun e të ndihmon e të sugjeron si ta kalosh më mirë, sepse kudo polici është në shërbim të qytetarëve e jo për të kapur pa arsye një turist apo çdo qenie njerëzore me dy këmbë e që merr frymë, e aq më tepër të sillet keq, të nxjerrë prangat e pistoletën e shpesh herë edhe të të vrasë.
Deri kur do të shohim policë bashibozukë që mendojnë vetëm mbrapsht që e kanë mendjen si të bëjnë ca lekë, të bëjnë fajtor njeriun pafaj e qytetarin e thjeshtë në rrugë por të mbyllin sqepin e sytë përpara gangsterrave me xhama të zinj e skafe?
Si mundet që quhen resorte rrethime me vila që shiten e blihen nga të njëjtit njerëz, kur nuk ja ka lënë tokën as gjyshi e as gjyshja, kur kudo resortet janë hotele e vila që njerëzit shkojnë e pushojnë për ditët që do të rrijnë? Si mundet që në çdo cep të këtij vendi të bekuar nga bukuritë natyrore të sheh syri vetëm beton e godina që në shumicën e kohës janë të pabanuara e të pafrekuentuara.
A e dini që në këtë vend ka aq ndërtime që mbi bazën e mesatares ndërkombëtare për metër katror, për çdo banor mund të jetojnë 12 milion njerëz ndërkohë që jemi a nuk jemi 2 milion. Këtu nuk është problemi që pse janë ndërtuar, por pse janë dhënë lejet? Sepse me miliardat e eurove që flejnë kot mund të ishin bërë mbrekullira për prodhime e shërbime, për shkolla e spitale, për rrugë e ferma, për plazhe qytete të sistemuara.
Ka një arsye. Sepse shumica e atyre që na kanë drejtuar në kto 30 vjet kanë qenë të paaftë e mediokër, hajdutë ordinerë e maskarenj, që i gjetëm si krunde në thes kur futëm dorën për t’i zgjedhur si politikanë e menaxherë shtetërorë. Pjesa e miellit në thes u përzu nga ky vend u denigrua. E kjo është e qëllimtë, çdo njeri që mendon ndryshe është miop që nuk sheh e tru tharë që nuk mendon. Këtë vend e kanë dashur dhe e bënë Kolumbinë e Europës, vend tranzitësh e vrasjesh ku jeta e njeriut vlen një mut.
Prandaj si mund të shkojnë qytetarët e aq me tepër fëmijët në plazh e larg qoftë në det, kur vjen tjetri me skaf gjithë tangërllëk dhe i droguar e të vret?
Jo, fëmijët duhet të rrinë në shtëpi! Të shohin në celular detin që disa muajsh pasi lindin, ta shohin aty se është më i bukur dhe prindërit ti nxjerrin një legen me ujë në ballkon, kur e disponojnë një të tillë.
Prandaj ky vend po braktiset nga të gjithë! Çdo ditë e natë, si ata që ikin dhe ata që mbetën, mallkojnë e shajnë me libër shtëpie, me shpirt e me lot në sy, rracën e poshtër që mori e drejtoi këtë vend.
Discussion about this post