Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka mbajtur një qendrim të fortë sa i takon deklaratës së djeshme të Yuri Kim, se kishte marrë garanci nga kryeministri Edi Rama, se Tom Doshi nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që do të formohet nga socialistët.
Manjani shprehet me ironi se tashmë Tom Doshi nuk është i Ramës por i Bashës, ndërsa thotë se fajin për regjistrimin e tij në zgjedhje e ka opozita.
Ish-ministri i qëndron mendimit se deklarata e parë e bërë nga Kim për Doshin ishte e nxituar, mirëpo përpjekja për ta ndrequr atë gabim, duket se e ka bërë të duket edhe më keq ambasadoren amerikane në vendin tonë.
Postimi i plotë i Manjanit:
Pra, Toma meqë nuk është i qeverisë, mbetet të jetë i opozitës.
Siç e prisnim, fajin për rregjistrimin e Tij në zgjedhje do ta ketë Luli Basha!!!
*****
Megjithatë dhe për dijeni të zonjës Kim, zoti Tomë Doshi prej 5 vitesh nuk është anëtar i Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e vitit 2017 konkuroi si kandidat i partisë Social Demokrate, parti aleate e zotit Rama. Mori një mandat nën siglën e kësaj partie në qarkun e Shkodrës dhe ka qenë dhe mbetet mbështetës i qeverisë dhe i zotit Rama.
U shpall non grata nga Departamenti i Shtetit të zonjës Kim, në kohën kur ai nuk ishte më në PS. Arsyet publike të shpalljes nongrata ishin korrupsion i rëndë me qeverinë e Ramës, se me të Berishës nuk del hesapi. As me qeverinë Amerikane nuk del i korruptuar, se në Amerikë për këto akuza të hedhin hekurat nuk të shpallin nongrata…
Pra nëse këtë informacion të vjetër, Rama ja ka shitur si argument zonjës Kim, kjo e fundit nuk mund të na e servirë dot ne.
Ngjan si lakër e zier dy herë…
Pastaj po të jesh nongrata në Amerikë dhe të konkurosh për një parti aleate me atë të Ramës, lejohet regjistrimi në zgjedhje?!
Çfarë llogjike qenka kjo?!
****
Mbetem i mendimit strikt se asnjë ambasador nuk ka në mandat të merret me çështjet e politikës së brendshme të shtetit ku shërben. Ndaj nuk jam pajtuar asnjëherë me deklarimet absurde publike të zonjës Kim.
Por teksa flet, bën mirë të mos flasë kuturu, pa kuptim e pa sens e në injorancë të fakteve që të gjithë punonjësit e ambasadës i dinë. Nuk është mirë për ambasadën e një vendi që shqiptarët ende e duan fort.
(E.K/Faxweb.al)