Ditën e djeshme ish-deputeti Limoz Dizdari, me një reagim të tijin, konfirmoi se do ti bashkohej tubimit të presidentit Meta në datën 2 Mars.
Dizdari shprehej më tej se ai kishte refuzuar që të ishte pjesë e Kongresit socialist që do të mbahet këtë fundjavë, ndërkohë që dhe më herët ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Lidhur me këtë mbështetje të dhënë ndaj Metës, ka reaguar dhe vetë presidenti , i cili shprehet se sot më shumë se kurrë është i bindur se kauza për mbrojtjen e Kushtetutës është ajo më e drejta.
Postimi i Metës:
Një mirënjohje e zjarrtë i shkon sot kompozitorit tonë të madh Limoz Dizdari, për solidaritetin e tij me kauzën mbarëkombëtare për mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë.
Aq më tepër kur vjen nga një artist i madh me kontribute të spikatura publike, dhe nga një prej reformatorëve të Partisë Socialiste me kontribute historike, që me vizionin e tyre e bënë Shqipërinë me një nga Kushtetutat më demokratike në Europë.
Ja si e bënin Kushtetutën socialistët e ndershëm e patriotë ne vitin 1998. Ndërsa sot shkelet e përdhoset me pabesi dhe poshtërsi ndaj sovranit që e votoi më 22 nëntor 1998 me Referendum.
Faleminderit Profesor Limozi!
Jam shumë herë më i bindur në drejtësinë e kauzës tonë të përbashkët!
Presidenti Meta ka paralajmëruar se më 2 mars në orën 17:00 do të mbajë një tubim në kryeqytet, i cili sipas tij do të shkatërroj grushtin e shtetit.
Në kuadër të përplasjes Presidencë-Qeveri për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Meta ka kallëzuar penalisht në SPAK ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, dhe më herët dhe kreun e KED, Ardian Dvorani.
Nga ana tjetër mazhoranca ka ngritur një Komision Parlamentar për shkarkimin e presidentit, dhe në të paktën dy raste është kërkuar ndërhyrja me opinion e Komisionit të Venecias.
Në tubimin e së hënës, Meta ka ftuar çdo shqiptar të jetë i pranishëm, ndërsa thirrjes së tij i është përgjighjur pozitivisht edhe opozita.
(E.K/Faxweb.al)