Finalizohet operacioni i koduar “Start”. Operacioni u krye nga Njësia Speciale “FAST”, për kapjen e personave në kërkim, në koordinim nga Interpol Tirana.
Kapen në Durrës e Tiranë një 33-vjeçar dhe një 26-vjeçare, të dy shtetas francezë, të kërkuar nga drejtësia franceze.
Kapja dhe arrestimi i tyre, me qëllim ekstradimin drejt Francës.
Në vijim të shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe homologëve për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe pas koordinimit të veprimeve me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Durrës për lokalizimin e vendndodhjes së personave që kërkoheshin, Njësia Speciale “FAST”, për kapjen e personave në kërkim, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Start”.
Si rezultat i operacionit u bë e mundur që në Tiranë, të kapej dhe të arrestohej shtetasja franceze C. F., 26 vjeçe, si dhe në Durrës të kapej e arrestohej shtetasi francez A. Gh., 33 vjeç, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi:
Autoritetet gjyqësore franceze të Gjykatës së Lartë Lorent, Francë kanë lëshuar urdhër-arrestin për këta shtetas, për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”, “Falsifikimi i çeqeve” dhe “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, parashikuar nga nenet e Kodit Penal francez.
Arrestimi i tyre u bë me qëllim ekstradimin drejt Francës.