Vrasja e Jak Prengës, në ditën kur u mor peng, për ti bërë presion të vëllait, për trafik kokaine, vijon të jetë nën hetim, pasi numri i personave që janë përfshirë në këtë krim duket të ketë qenë shumë i madh.
Po nëse anëtarët e familjes Hajri kanë qenë ata që realizuan pengmarrjen, dhe dhunuan viktimën ‘’duke iu mbetur në dorë”, të tjerë persona të botës së krimit kanë qenë porositësit e kësaj ngjarje të rëndë.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar sot se janë katër persona, që kanë dhënë urdhrin për marrjen peng të Prengës, të cilët mendohet se kanë aktivitet kriminal në Ekuador dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Më poshtë, janë dhe identitetet e urdhëruesve të krimit makabër:
M. B., personazh me dritë-hije të forta në botën e krimit, nga Shkodra, i akuzuar për trafik droge nga Ekuadori në vendet e BE.
G. D., është i skeduar nga autoritetet e vendeve të BE dhe konsiderohet si njeriu kyç që urdhëroi rrëmbimi i Jan Prengës, përderisa vëllai i këtij të fundit arriti të nxirret nga porti britanik një sasi të madhe kokaine, por nuk e dorëzoi në destinacion.
K. G., nga Shkodra, i përfshirë më herët në aktivitet kriminal në vendet e BE, por edhe në Shqipëri i skeduar. Ky mendohet të jetë personi që ka bërë rolin e ndërmjetësit, duke çuar mesazhin për marrjen peng të Prengës.
D.R., nga Vlora, personazhi më i fuqishëm i botës së krimit në Vlorë. Më 2014, është arrestuar me 240 kg kokainë në Ekuador, më herët ishte akuzuar për përfshirje në vepra kriminale në Shqipëri.