Familja Halili prej 18 anëtarësh nga Librazhdi është mes vështirësive ekonomike për të mbijetuar dhe nga ana tjetër, kafshët që i kanë si burim të ardhurash kanë mbetur pa ushqime.
Kryefamiljari tregon për gazetaren e Fax News, Ediola Terziu se marrin vetëm asistencë ekonomike, ushqimet me listë dhe bashkia pavarësisht se disponojnë rreth 300 kokë bagëti, nuk iu ka ofruar asnjë përkrahje.
Ata shprehen se janë të izoluar në banesë prej kohës kur janë marrë masat për parandalimin e pandemisë së koronavirusit, ndërsa ushqimet mungojnë teksa bëjnë apel për ndihmë.
Shtuarfaktit se gjithçka është bllokuar përfshirë edhe tregjet, ditët e fundit e kanë vështirësuar gjërat për ta edhe pse fshati Rrajcë ku jetojnë është i mbuluar nga dëbora.
“Kemi 200 kokë bagëti, kemi probleme ekonomike, jemi 18 familjarë, të ardhurat janë të pakta, çunat i kam të tre pa punë. 200 kokë bagëti janë të mëdha, ndërsa në total shkojnë në 300. Tani që është kohë e keqe duan të ushqehen edhe brenda. Duam ndihmë që të kalojmë disa ditë që janë të vështira. Që kur ka nisur situata e emergjencës nuk kemi lëvizur. Më shumë marim në dyqan me listë asistenca që marim nuk del”, tha kryefamiljari Musa Halili.
“Kam kërkuar ndihmë në bashki, na kanë thënë ju japim ushqime, për blegtorinë jo. Kushtet janë siç i shikoni, na duhet barë, misër krune për bagëtinë, kasollet janë bosh. Që kur jemi bllokuar jemi në këto kushte, nuk kemi dalë fare jashtë, borxh nuk të jep njeri. Kasollat janë të papërshtatshme për blegtorinë”, tha e zonja e shtëpisë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post