Një familje në qytetin e Librazhdit ka kërcënuar me vetëflijim nëse do i prishet kioska që është në pronësi të tyre.
Ndërkohë Inspektoriati Ndërtimor ka njoftuar prishjen saj, e cila do të nisë rreth orës 10:00.
Në shenjë proteste, pronari i kioskës së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët ndodhen në kioskë.
Bëhet e ditur se burri mban në dorë një shishe me benzinë, po ashtu dhe fëmijët e tij që ndodhen brenda kioskës.
Kryefamiljari ka thënë se faturat janë paguar të gjitha me rregull. Duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, ai shtoi se nuk do të dalë nga kioska deri sa të shkojë një përfaqësues i qeverisë.
Rruplli pretendon se ka të gjithë dokumentacionin, vendimet nga bashkia Librazhd dhe këshilli bashkiak për vendqëndrimin e kioskës ku prej 7 vitesh familja shet gazeta dhe siguron bukën e familjes.
Po kështu ai thotë se është pagues i rregullt i taksave. Ai ka vendosur përpara kioskës disa postera ku i drejtohet deputetit të zonës Taulant Balla dhe kryeministrit Edi Rama të ndërhyjë pasi sipas tij po bëhet padrejtësi.
“Bashkia Librazhd (Kaçi) të merr taksat bukën dhe shpirtin. Vendin ku është kioska duan ta japin që të ndërtohet pallat”, thotë mes të tjerave Rruplli.
Të ardhurat e vetme të kësaj familjeje janë kjo kioskë dhe një asistencë prej 6 mijë lekësh të reja në muaj.
(E.K/SHUPLAKA)
Discussion about this post