Ditën e sotme një pjesë e banorëve të Lazaratit kanë dalë në protestë duke kërkuar drejtësi për disa prej të burgosurve për vrasjen e efektitvit të Policisë Ibrahim Basha në vitin 2015-të gjatë aksionit të policisë.
Sipas familjarëve djemtë e tyre janë mbajtur në burg dhe dënuar pa prova, ndërsa vetë ata kërkojnë drejtësi.
‘’Duam drejtësi të pavarur dhe jo të ndikuar politikisht”, shkruajnë banorët në pankartat që mbajnë në duar, ndërsa mes protestuesve ka dhe fëmijë.
Kujtojmë se Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 2 burgime përjetë Albion Alikon dhe Bajram Bocin, dhe dënoi me 150 vite burg 7 anëtarët e tjerë të grupit. Grupi i kryesuar nga Aliko dhe Boci u akuzua për vrasjen e efektivit të RENEA-s., Ibrahim Basha në qershor të vitit 2015.
Efektivi Basha u qëllua me një plumb në kokë më 24 qershor 2015 në hyrje të fshatit të Lazaratit. RENEA ishte njoftuar për një situatë problematike në Gjirokastër, ku ishin raportuar të shtëna me armë zjarri, rreth orës 05:00 të mëngjesit dhe menjëherë është nisur një grup efektivësh të forcave speciale.
Pasi automjeti i RENEA ka hyrë për patrullim në fshat, i është bërë pritë dhe është ndeshur me breshëri armësh. Nga të shtënat efektivi i RENEA Ibrahim Basha mori një plumb në kokë dhe humbi jetën në vend, ndërsa u plagosën edhe dy kolegë të tij, Jetmir Isaj dhe Perlat Shpati.
https://www.youtube.com/watch?v=pvoAOhT63m0&feature=youtu.be