Burime për Fax News bëjnë të ditur se familjarët e 35-vjeçarit minoritar grek Kostandinos Katsifas, janë në Tiranë për të tërhequr trupin e tij, ndërkohë që varrimi i tij do të bëhet të enjten në orën 13:00.
Katsifa mbeti i vrarë më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës. Trupi i tij u dërgua në morgun e Tiranës ku një grup prej katër ekspertësh të Institutit të Mjekësisë Ligjore, kryen ekspertizën.
Ndërkohë një ditë më parë është rapotuar nga burime për Fax News se janë prenotuar 5 autobusë që do të vijnë nga shteti fqinjë për këtë ceremoni.
Gjithashtu mediat greke paralajmëruan se drejt Shqipërisë pritet që të udhëtojnë mbi 2 mijë persona për të marrë pjesë në funeralin e tij në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Ashtu siç është thënë edhe më parë klima në radhën e minoritetit grek është përkeqësuar.
“Mbi 2 mijë qytetarë të Vorio Epirit përgatiten të shkojnë në Bularat në funeralin e Kacifas, që pritet të kthehet në protestë. Klima në minoritetin grek është përkeqësuar.
Ekziston rreziku që marrëdhëniet greko-shqiptare të kthehen prapa 10 vjet për shkak të kësaj ngjarje”,shkruan gazeta e njohur ‘Kathimerini’.
Konstantinos Kacifas u vra 28 tetor më parë nga RENEA, pasi qëlloi me breshëri mbi policinë. Ai nuk pranoi të dorëzohej. Kacifa njihej si ekstremist grek dhe ishte pjesë e grupeve nacionaliste-ekstremiste greke.
Pas vrasjes, familja pati pretendime për trupin e të riut, dhe akuzoi RENEA-n se fillimisht e kishte plagosur dhe më pas e kishte vrarë. Po pas ekspertizave të kryera edhe në Tiranë tashmë duket se kërkesa e vetme që kanë familjarët ndaj shtetit shqiptar është tërheqja e trupit, dhe varrosja e të ndjerit.
(M.Q/Faxweb.al)
Discussion about this post