Ka nisur në Kolegjin Zgjedhor mbledhja ku do të diskutohet kërkesa e partisë së Idajet Beqirit, që kërkon ç’regjistrimin nga zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, pas shtyrjes së bërë nga ana e presidentit Meta.
Trupa gjykuese e Kolegjit që ka në dorë fatin e kësaj kërkese, që në rast se do të pranohej, i hap rrugë shtyrjes së zgjedhjeve, janë Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.
Burime bëjnë me dije se qeveria do të pranojë cilindo vendim të Kolegjit Zgjedhor, qoftë edhe për shtyrjen e zgjedhjeve, pavarësisht se nga ana tjetër thuhet se vendimin e Metës mund ta marrë në shqyrtim vetëm Gjykata Kushtetuese.
Pala paditëse në Kolegjinë Zgjedhor: Iu kemi paraqitur kërkesë që të çrregjistrohet partia “Uniteti Kombëtar” nga zgjedhjet e 30 qershorit. Jemi habitur me çdekretimin e zgjedhjeve, nuk pati asnjë konsultim. Kjo situatë ishte e papajtueshme për partinë tonë.
U vumë mes dy zjarreve, strukturat e partisë ishin në situatë absurde, dukej sikur po luftonim me mullinjtë erës. Në këtë situatë duhej të merrnim një vendim. Ishin dy vendime, ai i Presidentit, dhe ai i KQZ-së. Ne jemi përgatitur për zgjedhje, por asnjëherë nuk kemi marrë para.
Nuk duam të marrim pjesë në zgjedhje, emri i partisë sonë nuk duhet të figuroj në atë fletë votimi. Shkaku i vetëm që kërkojmë të mos jemi në zgjedhje, është vetëm vendimi i Presidentit. Nuk kishim zgjedhje tjetër, vetëm të vinim në Kolegjinë Zgjedhor. Vendimin e KQZ e kontrollon Kolegji Zgjedhor, prandaj erdhëm tek ju. Dikush duhet ta zgjidh këtë problem. Presidenti ka thënë që zgjedhjet janë moniste, por mes tyre në listë ka edhe parti të djathta.
(E.K/Faxweb.al)