Fatos Klosi ka folur për bashkëpunimin që ka pasur deri në vitin 2009 me ish-kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot President i Republikës, Ilir Metën, për të cilin tha se ishte aleanca e tij me Berishën në këtë vit ajo që i ndau rrugët e tyre.
Klosi tha se kjo marrëveshje ishte në sajë të interesave e cila sipas tij e rriti numerikisht LSI-në po jo parimisht, ndërsa lëshoi edhe një deklaratë jo të zakonshme të thënë prej tij, kur theksoi se të gjitha partitë politike në vend janë kthyer në biznese.
Ish-kreu i SHISH i bëri këto deklarata në Televizionin Fax News, ndërsa si një ish-mbështetës i saj LSI, foli edhe për 15-vjetorin e saj dhe mospjesmarrjen e tij në këtë eveniment.
“Do të shkoja për të takuar vetëm disa miq të vjetër dhe kaq. Jemi zhgënjyer nga LSI-ja, sepse ne e nisëm atë punë nga papërballueshmëria e Partisë Socialiste ndaj qeverisjes së Sali Berishës në atë kohë. Por edhe ajo përfundoi si partitë e tjera për interesa të ngushta ekonomike. Sigurisht kam hyrë vonë edhe në Partinë Socialiste, por duhet thënë se në 2009 LSI bëri kompromis për hir të disa interesave me Berishën, dhe kjo na largoi. Ndërsa gjithashtu kohët e fundit LSI-ja me qëndrimet e saj ka gabuar. Unë nuk isha në Tiranë në 15 vjetorin e LSI-së, por edhe po të isha, do të shkoja për të takuar miqtë e vjetër dhe vetëm kaq”.
Që prej krijimit të saj, LSI është rritur dhe ka ndryshuar, a ka ndryshuar edhe Ilir Meta?
Klosi: Natyrisht që në gjithë këtë kohë edhe Ilir Meta ka ndryshuar. Unë e kam njohur atë përpara LSI-së dhe është e vështirë të ndërtosh një lëvizje të tillë e dalë nga Partia Socialiste, e detyruar në mjedisin politik në Shqipëri të bëjë shumë dredha. Edhe sot e shoh që është në pozita të vështira në bazë edhe të deklaratave të tij, por unë nuk kam fakte të kuptoj se cilat janë problemet e tij të vërteta. Ka marrë disa vendime të vështira të cilat nëse do të ishte funksionale Gjykata Kushtetuese, ajo do të thoshte se kjo është rruga ligjore.
Nëse do të kthehej pas në kohë, çfarë duhej të bënte ndryshe LSI-ja?
Klosi: Politika në Shqipëri nuk ka parime, ka parime tek biznesi. Të gjitha partitë kanë lëvizur nga idealet e tyre me të cilat janë krijuar. Të gjitha partitë politike në Shqipri kanë treguar se skena politike është e vështirë. LSI-ja duhej të mbante qëndrimin e saj parimor. Në 2009 ishte parti me 4 deputetë, erdhi me minimumin historik të saj, por pas aleancës me Berishën, mori shumë më tepër, dhe nga kjo nuk fitoi në parim por fituan interesat e LSI-së, por jo për parimet e mia dhe të asaj për çfarë ishte parimore. Në këtë mjedis partitë janë kthyer në biznes dhe jo në ideale.
Marrja e detyrës së kryetarit të kësaj partie nga Monika Kryemadhi, a e ka kthyer në familjare këtë parti?
Klosi: Jo, nuk është këtu problemi, ajo gjithmonë ka qenë pranë Ilir Metës, ka qenë personazh i rëndësishëm pranë tij në kohën kur ishte kryetar dhe Meta konsultohej vazhdimisht me të sepse ka eksperiencë politike. Unë do kisha qef të ishte Iliri (qesh) se ka qenë shumë më i prerë, kishte “Po” ose “Jo” me të, Monikën nuk e njoh kaq afër dhe nuk e gjykoj dot. Por sot është në pozitë të vështirë, është në luftë për ekzistencë, dhe nuk e di çfarë do të bënte Iliri. Tek e fundit ai është President por natyrisht besoj se ashtu siç kanë qenë konsultuar kur partia drejtohej prej tij, edhe sot konsultohen.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/1094516544079417/
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post