Analisti Fatos Lubonja, në një shkrim të shkurtër mbi marrëveshjen Rama-Basha të arritur bazuar në paketën “McAllister+”, shprehet se nga ana e PD-së e sheh këtë marrëveshje si tregues të dy mundësive: Nuk u dilnin hesapet se mund të shndërroheshin në lëvizje antisistem ose nuk kishin seriozisht premtimet për luftë të oligarkisë.
Sipas tij, pikërisht e kundërta, “këmbëngulja për të mos iu bindur realitetit të imponuar edhe nga amerikanët, europianët edhe mosbesuesit”, do krijonte bindjen dhe besimin se kemi të bëjmë me njerëz që mund ta ndryshojnë këtë realitet.
Më tej, në analizën për gazetën “Panorama”, Fatos Lubonja e hedh poshtë mundësinë e një koalicioni PS-PD, apo mes “Romeo Ramës dhe Xhuljeta Bashës” (referuar batutave të Ramës).
Ai thekson se vetëm nëse LSI vendos të mos bëjë koalicion paselektoral me asnjë prej partive dhe PS-PD të mos e përfillin fare LSI-në, mund të ndodhë zhdukja e opozitës nga Rama:
“Kanë dalë disa zëra se, për të mos ndodhur kjo, për shkak se këta urrehen shumë me njëri-tjetrin (çka na bën për të qeshur), si dhe që të evitohen kriza si ato të çadrave, që i kanë mërzitur shumë partnerët tanë strategjikë, mund të ketë koalicion të madh PS–PD në emër të mbylljes së disa reformave që do ta çuakan Shqipërinë në Europë. Personalisht nuk e besoj se mund të ndodhë një gjë të tillë, por nuk është çudi po të mendosh, jo reformat dhe as partnerët strategjikë, por se deri dje të dyja kanë përfaqësuar të njëjtët oligarkë. Dreqi e di çfarë paskan biseduar kokë më kokë, për pesë orë, Romeo Rama dhe Xhulieta Basha, – sipas një batute të Ramës kjo – por prapë nuk e besoj. Në fakt koalicionet e mëdha janë bërë në emër të qeverisshmërisë kur nuk sigurohet maxhoranca e duhur nga partitë e mëdha. Te ne kjo mund të ndodhë vetëm nëse LSI-ja nuk pranon të bëjë koalicion paselektoral me asnjërën. Ndërsa po të kemi një koalicion PS-PD pa u pyetur fare LSI-ja, kjo do të thotë se me ndihmën e çadrës u arrit pikërisht ajo që kontestohej më fort nga çadra: zhdukja e opozitës, d.m.th. se Edi Rama arriti në të njëjtën qafë, por nga një rrugë tjetër. Sigurisht jo në Europë.”
Por kjo vetëm në kuadrin e parashikimeve, pasi sipas Fatos Lubonjës “kalkulimeve se kush ka dalë i fituar dhe kush i humbur në këtë pazar të ri”, përgjigjen përfundimtare do ia japë “shitblerja e mallit më 25 qershor”.
(XH.A/SHUPLAKA)
Discussion about this post