Prokuroria e Durrësit ka çuar në Gjykatë dosjen për italianin Ferdinando Muollo, i cili është një prej anëtarëve më të rëndësishëm të organizatës mafioze “Camorra”. Ferdinando Muollo, një personazh që drejton një nëndegë kriminale të Camorras dhe që në Itali njihet ndryshe si klani “Tammaro di Lauro-Muollo”, është proceduar fillimisht për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, ndërsa iu sekuestruan një listë e madhe e pasurive të paluajtshme që kishte investuar në qytetin e Durrësit, që kapnin vlerën e 750 mijë euro.
Këto pasuri ndodhen në Durrës dhe Tiranë, ndërkohë që Muollo rezulton i dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim për akuzën e vrasjes së ortakut të tij në biznes Salvatore Ridosso. Vrasja është kryer për një konflikt të lindur për 150 milion lireta.
Ndërkohë hetimi pasuror është udhëhequr nga prokurori i Durrësit Pali Deçolli, i cili pasi është njohur dhe me materialet që kanë sjellë në Shqipëri autoritet italiane, ka vendosur të sekuestrojë pasuritë që dispononte në Shqipëri mafiozi Italian.
Në datën 26 tetor 2018 gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Salerno e ka dënuar Muollo me 12 vjet e 6 muaj burgim për akuzën e vrasjes së Salvatore Ridosso. Sipas materialeve të mbërritura nga Italia vrasjen e Ridossos Muollo e ka kryer në bashkëpunim me Valentino Mansi dhe Luigi Muollo të cilët janë akuzuar së bashku.
Ka rezultuar se Luigi, pas vrasjes së Salvatore Ridosso, është vrarë më pas në një kurth, ndërsa gjatë hetimeve të prokurorisë italiane është vërtetuar se Luigi Muollo ka qenë autori kryesor që ka qëlluar me një armë 9 mm tip “GFL Lunger”. Ndërsa Ferdinando Muollo ka qënë në rolin e porositësit, financuesit të kësaj vrasje.
Ky krim ka ndodhur për të shuar sherrin që kishte lindur midis Salvatore Ridossso e Ferdinando Muollo, të cilët fillimisht kanë qenë ortakë në disa shoqëri ekonomike legale dhe ilegale, por edhe për të fituar një fuqi të madhe kriminale në Scafati dhe për të marrë kontrollin e aktiviteteve kriminale që më parë i kishte në dorë viktima Salvatore Ridosso. Krimi është kryer me metoda dhe qëllime mafioze për të favorizuar bashkëpunimin e tyre kriminal me klanin e quajtur “Tammaro di Lauro-Muollo”, ekzistenca dhe veprimtaria e të cilit është njohur me vendimin e datës 12 shkurt 2007 nga gjykata e shkallës së parë në Nocera në Itali.
Pas kryerjes së krimit Ferdinando Muollo ka vizituar disa herë Shqipërinë duke qëndruar një ose dy ditë, duke i rralluar më pas këto vizita gjatë vitit 2018 dhe 2019. Nga hetimet e kryera nga prokuroria shqiptare, rezulton se Muollo është dënuar nga drejtësia italiane me 12 vjet e 6 muaj burgim si pjesë e klaneve në zonën e Napolit në Itali.
Vizitat dhe qëndrimet e tij në Shqipëri përkojnë me firmosjen e blerjes apo të shitjes së kontratave të pasurisë, madje ka hapur dhe biznese konkrete. Më konkretisht në datën 11 janar 2013 ka lidhur një kontratë blerje apartamenti në vlerën 120 mijë euro. Ndërkohë më tej në 7 nëntor 2014 ka lidhur kontratë për blerjen e apartamenteve me vlerë të deklaruar 70 mijë euro. Më datën 19 shkurt 2015 ka lidhur kontratë për blerjen e dy apartamenteve dhe 13 garazheve me vlerë të deklaruar prej 370 mijë euro. Gjithashtu më datën 17 shtator 2015 ka kryer blerjen e një apartamenti me vlerë 42 milion lekë të vjetra. Në datën 29 shtator 2016 ka kryer blerjen e një apartamenti me vlerë 50 mijë euro. Gjithashtu Ferdianndo Muollo ka në pronësi një automjet tip Mercedes Benz me targë AA 001 OF blerë me kontratë shitje në datën 18 dhjetor 2017 në vlerën prej 5 mijë euro. Momentalisht nuk dihet se kush person e përdor këtë automjet në qarkun e Durrësit.
Ndërkohë nga verifikimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se më datën 6 nëntor 2015 është regjistruar shoqëria “Ksenon Poliklinika”, ku njëri nga ortakët është Fernando Muollo. Gjithashtu në datën 19 prill 2016 subjekti pezullohet dhe në datën 14 shtator ky subjekt bëhet aktiv. Më datën 8 nëntor 2016 Muollo shet 50 për qind të aksioneve tek Viktor Xhili dhe mbetet me 45 për qind dhe më datën 20 dhjetor 2017 aktiviteti pezullohet. Gjithashtu në datën 23 mars 2012 shoqëria Target themelohet nga italiani Ferdinando Muollo, por kjo shoqëri në datën 12 mars 2014 ka vendosur të mbyllë aktivitetin e saj. Ortaku shqiptar i Muollo në këtë biznes ka qenë Artan Shqypi.