Policia Rrugore i bën thirrje qytetarëve në Tiranë se për shkak të trafikut të rënduar duhet të shmangen lëvizjet me makinë në disa segmente rrugore të kryeqytetit.
Sipas policise gjatë kohëve të fundit, janë mbi 20.000 mjete nga qytete të ndryshme që hyjnë e dalin në qytetin e Tiranës për shkak të festave të fundvitit.
“Gjatë kohëve të fundit, janë mbi 20.000 mjete nga qytete të ndryshme që hyjnë e dalin në qytetin e Tiranës. Gjithashtu, një numër i madh rrugësh dhe sheshesh janë të bllokuara për shkak të festave ose punimeve në rrugë. Me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve dhe lehtësimin e lëvizjes së mjeteve, Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin e qytetarëve duke u bërë thirrje të shmangin në maksimum lëvizjet me mjet në qytetin e Tiranës, e veçanërisht në zonat e banuara. Policia Rrugore sugjeron përdorimin e alternativave të tjera për lëvizje në vend të përdorimit të mjetit, siç mund të jenë transporti publik, biçikletat ose ecja në këmbë për përshkimin e distancave të shkurtra”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Policia Rrugore sugjeron shmangien e lëvizjeve me mjet në rrugët e Tiranës, veçanërisht në oraret e pikut të trafikut, nga ora 07.30 deri 09.00, nga ora 15.00 deri 17.30 si dhe nga ora 19.30 deri në orën 21.30. Duke falenderuar qytetarët për mirëkuptimin, Policia Rrugore garanton publikun se do të bëjë maksimumin për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve.
Policia Rrugore sugjeron shmangien e lëvizjes me makina në segmentet e mëposhtme:
• Rruga “Teodor Keko” me rrugën e Kavajës,
• Rruga “Konferenca e Pezës” me Rrugën “Teodor Keko”
• Rruga e Kavajës në të dy senset nga Ish shkolla Teknologjike deri te kryqëzimi “21 Dhjetori”.
• Rruga “Muhendin Llagami” me Bulevardin “Gjergj Fishta”
• Bulevardi “Bajram Curri” me Rrugën “Ali Elez”i (ish Ura “Irfan Tomini”)
• Rruga “Siri Kodra” duke filluar nga ish-frigoriferi deri në afërsi të Selvisë dhe kryqëzimit me Rrugën e Dibrës.
• Rruga “Myslym Shyri” me degëzimin e rrugës “Nikolla Lena”
• Rruga “Myslym Shyri” me degëzimin e rrugës “Adem Kruja” • Rruga “Myslym Shyri” me degëzimin e rrugës “Ibrahim Rrugova”
• Rruga “Komuna e Parisit” deri tek Kompleksi “Kodra e Diellit”
• Gjithë degëzimet e rrugës të cilat lidhen me Sheshin “Skënderbej”
• Bulevardi “Zhan D’ark” me Rrugën e Elbasanit.
Discussion about this post