Partizani i trajnerit Skënder Gega arriti ta realizojë objektivin madhor tri javë para mbylljes së kampionatit, ku me fitoren 2-1 në derbi siguruan titullin e 16-të në historinë 73-vjeçare të klubit. Festa e realizimit të ëndrrës çerekshekullore të të kuqve u krye menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit Kridens Meta.
Por, Partizani nuk do të mjaftohet me kaq, pasi klubi prej kohësh ka nisur punën organizative për festimin e titullit kampion, festim i cili lidhet me dorëzimin e trofeut nga FSHF. “Demat” duan që festën ta kryejnë në shtëpi, ku ndeshjen e fundit sipas kalendarit e kanë në javën e 35-të ndaj Kukësit, më 25 maj.
Ekziston edhe një variant, që festa të zhvillohet më 29 maj, po në kryeqytet, nëse Luftëtari dhe FSHF do të binin dakord që ndeshja e planifikuar për në Gjirokastër të zhvendosej në Tiranë, kuptohet nëse bluzinjtë e kanë siguruar mbijetesën. Parimisht, data festive e titullit të Partizanit është në dorë të federatës.
Të kuqtë kanë planifikuar që të zhvillojnë një festë mbarëkombëtare me një program të gjatë dhe të larmishëm, ku sipas skenarit, ajo do të shtrihet në rrugët kryesore të kryeqytetit, kryesisht në bulevardin qendror.
Festa pritet të jetë në stilin e ceremonisë që u organizua për Kombëtaren pas kthimit nga “Euro 2016”. Pra, nuk do të mungojë as autobusi i hapur për triumfatorët, mjet i cili asokohe u mor me qira nga Maqedonia.