Në Berat është kremtuar sot 5 maji, Dita e Dëshmorëve. Me një ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, janë përkujtuar sot dëshmorët, ata që dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Në ceremoni ishin të pranishëm drejtues të pushtetit vendor,përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare,veteranë,pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve,pasardhës të tyre,drejtues e efektivë të policisë së shtetit,qytetarë etj.
Nën marshet e bandës frymore të qytetit u bënë homazhe dhe u vendosën kurora pranë memorialit kushtuar dëshmorëve dhe në varret ku prehen të rënët e luftës.Në fund të ceremonisë,të pranishmit kaluan në heshtje pranë varreve ku prehen dëshmorët e atdheut,në shenjë mirënjohje dhe respekti ndaj tyre.
Për të përkujtuar aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, drejtues dhe efektivë të DVP-së Berat,familjarë të policëve të vrarë dhe të pranishmit në ceremoni, kryen homazhe edhe në varret ku prehen 7 efektivët e Policisë së Beratit,të vrarë në krye të detyrës.
Ndërkohë, 5 Maji, Dita e Dëshmorëve, u përkujtua edhe në Vlorë. Buqeta dhe kurora me lule janë vendosur nga autoritetet vendore, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë pranë lapidarit që nderon të rënët në Luftën e Dytë Botërore. Kjo është një ditë për të kujtuar dëshmorët dhe sakrificat e tyre për një Shqipëri të lirë.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, prefekti Plator Nesturi dhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Ervis Mocka, theksuan se në ditë të tilla është e rëndësishme që kjo sakrificë të përkujtohet dhe të vlerësohet edhe nga brezat e rinj.