Vijon operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë”, që ka për qëllim lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare dhe kontrollin e ligjshmërisë së aktiviteteve tregtare të zhvilluara nga subjektet private gjatë sezonit veror.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Policinë Bashkiake, kanë ndërmarrë një kontroll të imtësishëm në zonën e plazhit në Seman, ku kanë konstatuar tre raste të uzurpimit të hapësirës publike.
Gjatë verifikimeve, u evidentua se tre subjekte private kishin zënë në mënyrë të paligjshme sipërfaqe publike në bregdet, duke vendosur rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë, pa leje nga autoritetet përkatëse.
Për pasojë, u proceduan penalisht pronarët e këtyre subjekteve:
-
E. F., 38 vjeç
-
R. Sh., 69 vjeç
-
Z. S., 56 vjeç
Të tre këta shtetas do të përballen me akuzat për veprat penale:
-
“Pushtimi i tokës”
-
“Fshehja e të ardhurave”
-
“Ushtrimi i aktivitetit tregtar pa kasë fiskale”
Hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme janë liruar dhe rikthyer për përdorim publik.
Policia e Fierit thekson se operacioni “Plazhi i lirë” do të vijojë gjatë gjithë sezonit përgjatë të gjithë vijës bregdetare, me fokus në mbrojtjen e hapësirave publike dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje ligjore që cenon të drejtën e pushuesve për akses të lirë në bregdet.