Ministri i Brendshëm Taulant Balla, është ndalur mbrëmjen e sotme në Spitalin Rajonal të Fierit, për të parë nga afër gjëndjen shëndetësore të 50 të moshuarve të cilëve iu rrezikua jeta mesditën e sotme gjatë zjarrit që përfshiu katin e dytë të godinës.
Balla ka pohuar se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë teksa ka falenderuar forcat e policisë së shtetit, forcat zjarrfikëse dhe punonjësit e Shtëpisë së të Moshuarve për ndërhyrjen në kohë, gjë që bëri të mundur shmangien e rrezikut.
Ministri Balla ka pohuar se nga hetimet paraprake rezulton se zjarri ka ardhur nga jashtë ndërtesës, teksa ka pohuar se po vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Taulant Balla: Së pari dua të falenderoj të gjithë forcat e policisë së shtetit, në mënyrë të veçantë forcat “Shqiponja”, forcat zjarrfikëse në kuadër të njësisë së mbrojtjes kundër zjarrit në bashkinë e Fierit. Natyrshëm falenderoj edhe punonjësit e Shtëpisë së të Moshuarve në Fier, të cilët në mënyrë të menjëhershme bashkëvepruan për të larguar nga Shtëpia e të Moshuarve banorët të cilët bashkë me drejtoreshën e spitalit i vizituam një e nga një. Secili prej tyre është jashtë çdo lloj rreziku për jetën. Natyrshëm që spitali i ka ofruar të gjithë përkujdesjen që do ta kenë edhe nesër në momentin që Shtëpia e të Moshuarve do të jetë totalisht e banueshme. Besoj se jeni njohur edhe me konstatimet paraprake të bëra edhe nga Policia e Shtetit se bëhet fjalë për një zjarr që ka ardhur nga jashtë godinës, por natyrshëm duhen bërë të gjitha hetimet për të parë se kush ka qenë arsyeja, shkaku i zjarrit dhe të vendosen pikat mbi I mbi autorësine apo shkaktarët e këtij zjarri. Ndërkohë së bashku me drejtoreshën kemi vizituar një për një të gjithë banorët e Shtëpisë së të Moshuarve që gjenden në Spitalin Rajonal të Fierit dhe që shpresoj që gjithçka për sa i përket shëndetit të tyre të jetën nën kontroll të plotë. Siç më njoftoi drejtoresha nuk kemi asnjë problematikë sa i përket shëndetit të asnjërit prej tyre. Janë 50 banorë të kësaj shtëpie të moshuarve në Fier, për të cilët bashkia Fier përkujdeset në mënyrë të vazhdueshme dhe që të gjithë janë këtu dhe do të rivendosen përsëri sepse nuk e mbyllim Vitin e Ri pa një darkë me ta.
Jam këtu që autoritetet që ngarkon ligji të bëjnë punën e tyre. Është reaguar në mënyrë të menjëhershme nga të gjitha njësitë që ngarkon ligji, nga forcat zjarrfikëse në varësinë e bashkisë dhe padyshim nga të gjithë punonjësit e tjerë të bashkisë.
Godina e shtëpisë së të moshuarve është shumëvjeçare dhe ka njohur herë pas here rikontruksione të pjesshme, por për ministrin Balla ndërtimi i nje godine te re aktualisht është i pamundur por ka theksuar se do të bëhen të gjitha përpjekjet për përmirësimin e kushteve.
Discussion about this post