Fieri vazhdon të mbetet vatër e nxehtë, e rasteve me Covid-19. Sipas drejtorit të njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Fier, Arbër Arapi, aktualisht me Covid janë të shtruar disa qytetarë të cilët po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën teksa ka theksuar se të prekurit më së shumti janë emigrantët e kthyer në vendlindje.
Po sipas tij, vetëm për muajin gusht janë konfirmuar 113 raste me Covid në Fier, Patos e Roskovec ndërkohë që situata vijon me një rënie të lehtë për muajin shtator, ku aktualisht kanë rezultuar pozitiv 98 raste ndërkohë që vatra me rastet e numrit më të madh mbetet qyteti Fier, i ndjekur nga Roskoveci dhe Patosi.
Drejtuesi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Fier ka pohuar gjithashtu se simptomat e këtij virusi janë më të lehta nga ato të periudhës së pandemisë, por nuk duhen neglizhuar nga qytetarët. Arapi ka bërë me dije gjithashtu se çdo ditë kryhen mbi 50 testime ndërkohë qe edhe bluzat e bardha apelojnë për kujdes të shtuar nga ky virus si dhe për vaksinim.
Ndërkohë Fieri në periudhën e pandemisë ishte në zonën e kuqe të Ministrisë së Shëndetësisë nga rastet e shumta të të prekurve me Covid 19 duke e renditur në tre qarqet më të infektuara në vend.