Nga Poli Hoxha
Tashmë është zbardhur nga deklaratat e fundit të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, se një nga arsyet e përplasjes së madhe të tij me ambasadorin e SHBA, Donald Lu, ka qenë edhe ndërhyrja e tij për kompaninë e naftës “Bankers Petrolium”. Faktikisht në opinion po abuzohet shumë me faktin, që kjo kompani është amerikane dhe ambasadori Lu ka bërë detyrën dhe ka të drejtë që ta mbrojë atë, edhe deri te Prokurori i Përgjithshëm siç ka bërë. Por në fakt e vërteta është se “Bankers Petrolium” nuk është një kompani amerikane dhe përfaqësues të një shteti tjetër, do të duhej të kishin “ndërhyrë” pas hapjes së hetimeve për atë nga organi shqiptar i akuzës. Kushdo mund të hyjë në faqen zyrtare të kësaj kompanie dhe në rubrikën `Rreth Bankers` mund të lexojë; “Bankers Petroleum Ltd, është kompania kanadeze e kërkimit dhe prodhimit të naftës me aktivitetin e saj kryesor në Shqipëri, ku ajo vepron si Bankers Petroleum Albania Ltd. Kompania vepron dhe ka të drejta për të zhvilluar vendburimin e naftës së rëndë në Patos-Marinzë dhe një interes 100% në vendburimin e naftës në Kuçovë”.
Pra vetë kompania e thotë qartë që është kanadeze dhe jo amerikane. Pas kësaj bie alibia e të gjithë atyre që pas akuzave të Llallës, pretendojnë se Lu ka pasur gjithë të drejtën e detyrës së tij për të ndërhyrë në hetimin ndaj kompanisë, edhe pse kjo ha shumë diskutim. Nëse pas saj fshihen aksionerë dhe biznesmenë amerikanë që nuk i dimë, kjo është tjetër çështje.
Por duket se kompania e fuqishme që ka fituar qindra milion euro nga nëntoka shqiptare, nuk ka “mik të fortë” vetëm ambasadorin Lu. Në historinë e saj të dy viteve të fundit përfshihet hapur edhe kryeministri Rama. Periudhat përkojnë.
Edi Rama pas rreth 2 vitesh që kishte ardhur në pushtet mbajti një fjalim, nga më të fortët në historikun e tij si kryeministër, për çështjen e industrisë së naftës (Shiko videon më poshtë). Më në 8 Prill të vitit 2015 vetëm 1 javë pas shpërthimeve të mëdha në fushën naftëmbajtëse të Marinzës, ku si pasojë u shkretua gjithë vendi dhe ekonomia e banorëve, ai hodhi akuza të rënda ndaj “Bankers Petrolium” dhe premtoi se do ti jepte fund abuzimeve dhe shfrytëzimit barbar që bënte ajo me nëntokën tonë, punonjësit dhe banorët.
“E dimë mirë se çfarë fuqie kanë ato që prej kaq vitesh ku kanë gjetur shesh kanë bërë përshesh, duke na lënë një përshesh nafte, duke vënë mina kudo ku vunë dorën si ajo në Marinzë. Por jo vetëm që nuk na dridhet qerpiku, por do t’u rrimë përballë dhe do t’i qëndrojmë në kornizën e ligjit. Në vendin tonë do të sigurojmë që çdo lloj ndërkombëtari nëse bën biznes në Shqipëri të mos trajtojë asnjë shqiptar si qenie e dorës së dytë. Nuk diskutohet as se kompania duhet të na bërë në dispozicion planin afatmesëm të rehabilitimit por do të kërkojmë një audit ndërkombëtar si në çdo vend demokrat, duke mbrojtur interesat e kombit, dhe siç ndodh sa herë që kompanitë e naftës bëjnë çuditë e tyre. dhe bazuar në auditin ndërkombëtar ne do të marrim edhe rezultatin e të gjitha problematikave që ka shtetit shqiptar, dhe për çdo problematikë kompania do të vihet përpara përgjegjësisë si në SHBA, Gjermani apo Kanada”.
I ashpër me këtë abuzim të madh, i saktë, i vendosur Rama në këto fjalë të prillit të 2 viteve të shkuara. Nuk ke se çfarë kërkon më shumë nga një kryeministër i vendit tënd, që mbron me forcë interesat e vendit që drejton dhe qytetarëve të tij, nga kushdo qoftë.
Ai foli sepse ngjarja që ndodhi pikërisht në 1 prill kur edhe festonte 2 vjetorin “e martesës” me Ilr Metën që e solli në pushtet, ishte apokaliptike; Llavë balte, ujë i nxehtë, përzier me gazra toksikë, llokma toke që zhyteshin poshtë, gjysmë shtëpish që fundoseshin, ishin pamje reale që tronditën Shqipërinë atëherë. Përgjegjësitë e koncesionarit Bankers Petroleum, si dhe pasojat e rënda mjedisore, ekonomike dhe shëndetësore për banorët e zonës ishin aq të mëdha, sa që vetëm ndonjë “forcë madhore” mund ti mbulonte. Dhe ashtu ndodhi në fakt.
Për arsye që vetëm kryeministri i dinte atëherë (por u zbuluan më vonë), kjo do të ishte hera e fundit që ai fliste me këtë gjuhë dhe hapur. Nuk bëri asgjë në vijim nga ato që deklaroi, pavarësisht se banorët e dëmtuar protestuan disa herë, deri me greva urie, për kompesim dhe zgjidhje përfundimtare të situatës së rrezikshme ku gjenden, edhe sot e kësaj dite.
Pas kësaj, pse jo e nxitur dhe trimëruar nga deklaratat e forta të kryeministrit, prokuroria e drejtuar nga Adriatik Llalla nisi hetimet ndaj “Bankers Petrolium”. Presionet ishin të shumta dhe për mbylljen e çështjes janë interesuar direkt njerëz të afërt të kryeministrit Rama, si ministri Gjiknuri. Por Llalla deri në këtë pikë, nuk u tërhoq.
Pikërisht në këtë periudhë, tre muaj më pas futet në lojë një peshë “më e rëndë”; vetë ambasadori i SHBA-së Donald Lu. Pasi i dërgon një letër ndërhyrëse të paprecedentë (shiko faksimilen), ai shkon edhe personalisht në zyrën e kryeprokurorit dhe kërkon me çdo kusht mbylljen e hetimit.
“Pikënisja e të gjitha debateve me mua ka qenë nisja e hetimeve për shpërthimet e Bankers Petrolium në Patos-Marinzë.Vjen në zyrën time një biznesmen i naftës dhe çuditërisht më thotë se nëse nuk isha dakord që hetimet të mos vijonin në zyrën time do të vinte ambasadori amerikan. Dhe çuditërisht të nesërmen e asaj dite ambasadori amerikan erdhi në zyrë i shoqëruar nga Presidenti i Bankers Petrolium dhe më kërkoi pushimin e hetimeve sepse ngjarja ishte aksidentale. Ky hetim ka përfunduar nga prokuroria e Fierit për shkak të shantazhit të kësaj natyre. Prokuroria po sheh mundësinë për rihapjen e hetimeve”, rrëfeu historinë “misterioze” të gjigantit kanadez të naftës, për gazetarin Blendi Fevziu kryeprokurori Llalla.
Ashtu siç e dimë të gjithë, Llalla dhe prokuroria e Fierit u dorëzua dhe e futi në sirtar dosjen, duke braktisur banorët. Fitoi Bankers, ambasadori Lu, por si do ta shpjegojmë më poshtë përfitues i madh në gjithë këtë histori është edhe Edi Rama me mikun e tij të ngushtë, biznesmenin Besnik Sula.
Gjithçka nis me lojën e madhe të aferës, që Edi Rama bëri vitin e shkuar me kompaninë shtetërore të përpunimit të naftës “Armo”, në bashkëpunim me biznesmenë klientë të tij personal. Pronarja e re e saj, përzgjedhur pa asnjë lloj konkurrimi dhe transparence nga qeveria Rama është Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC), një kompani internacionale pas së cilës qëndron biznesmeni Besnik Sula. Ajo e ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, e cila prej kohësh kishte stopuar prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga, pa asnjë plan investimi të deklaruar.
Që në fillim të kësaj afere ku është përfshirë personalisht Edi Rama nisën dyshimet, pasi asgjë nuk u bë transparente. Por pikërisht në këtë moment shfaqet “Bankers Petrolium”. Rama nga premtimi që kishte bërë një vit më parë se “për çdo problematikë, kompania do të vihet përpara përgjegjësisë në Shqipëri madje edhe në SHBA, Gjermani apo Kanada”, kishte zgjedhur një rrugë tjetër; atë të hyrjes në pazar.
“Bankers” pasi i kishte mbyllur problemet me Llallën pas ndërhyrjes së Lu-së e faktorëve të tjerë pranë kryeministrit, kishte arritur që të kopsiste një aferë të leverdishme me qeverinë shqiptare. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me pronarët e rinj të ARMO, në bazë të së cilës “Bankers” do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto te IRTC. Marrëveshja do të bëhej efektive, dhe në fakt tashmë është bërë, vetëm pasi “Bankers” të kishte disa përfitime nga qeveria Rama, mes të cilave dhënien edhe të disa zona të tjera naftëmbajtëse për shpim, si dhe pas respektimit një marrëveshje me Albpetrol, për tërheqjen e pjesës së prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës, që i përkiste po Albpetrol.
Pra pas plotësimit të kushteve që kërkoi “Bankers” nga qeveria, ARMO-s me pronarë të rij do ti mundësohej një furnizim i madh me naftë bruto.
Pasi u kopsitën të gjitha këto, pra lënda e parë dhe sigurimi i shitjeve të prodhimit me garant kryeministrin, puna nisi urgjentisht me bekimin e vetë Ramës.
Se çfarë dhe kush fshihet pas kësaj afere gjigante, në çfarë kushtesh nisi ky aktivitet vërtet shumë fitim prurës, por edhe shumë specifik dhe i rrezikshëm për punonjësit, kur teknologjia dhe kushtet teknike të uzinës janë nën parametra normal, tashmë të gjithë e dinë.
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka shumë mëkate në kryerjen e detyrës së tij; nuk arrestoi as një peshk të madh të politikës dhe krimit të organizuar. Ndoshta ka qenë edhe pengues në procesin e Reformës në Drejtësi, siç thotë ambasadori Lu. Madje ai duhet të mbajë përgjegjësi, edhe pse u dorëzua përpara shantazhit nga kushdo që ju bë, për mbylljen e çështjes “Bankers Petrolium” dhe braktisi interest e banorëve dhe ato kombëtare.
Ka vërtet shumë mëkate për të cilat duhet të japë shpjegim Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka të drejtë që sot i “penduar”, apo qoftë edhe i inatosur nga mënyra si e trajtoi ambasada amerikane familjarisht, të mos kontribuojë për të zbardhur ndërthurjen e fijeve që ndërlidh “Bankers Petrolium”.
Kushdo qofshin ato, brenda dhe jashtë Shqipërisë!