Para pak ditësh, kryetari i ri i Kuvendit në Maqedoni Talat Xhaferri, ka vendosur flamurin shqiptar në zyrën e tij.
Mirëpo kundërshtarët e tij nuk e kanë pritur mirë. Në një konferencë për shtyp, deputeti i VMRO-DPMNE-së Dragan Danev akuzoi se ka filluar realizimi i Platformës së Tiranës.
“Talat Xhaferi paralajmëroi se do ta zyrtarizojë gjuhën shqipe në gjithë territorin, ndërsa Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do të jetë parlamenti i tretë në rajon ku seancat do të zhvillohen në gjuhën shqipe”, u shpreh ai.
Sot partia VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit, është shprehur kundër Zoran Zaev dhe partisë së tij LSDM, që nuk po bëjnë asgjë për të ndalur vendimin joligjor të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Kështu e cilësojnë ata emërimin e Xhaferrit.
“Zaev dhe LSDM përkrah krizës politike Maqedoninë e futën edhe në krizë juridike. Krijuan ligje me të cilat në të ardhmen hapen mundësi për fitim joligjor të dygjuhësisë, bankënota dhe uniforma dygjuhësore, gjenocid dhe gjithë elementet tjera të Deklaratës së Tiranës, duke mosrespektuar vullnetin e qytetarëve”, theksojnë nga VRMO-DPMNE.
Nga VMRO gjithashtu theksojnë se LSDM-ja dhe Zoran Zaevi për katër ditë po heshtin për flamujt shqiptar në kabinetin e kryetarit të Kuvendit. (D.D/Shuplaka)