Një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare është finalizuar me sukses.
Operacioni i koduar “Kartela e Kuqe”, i zhvilluar në bashkëpunim mes FAST Albania, DVP Shkodër dhe Interpol Tiranës, në koordinim me homologët grekë, çoi në arrestimin në Greqi të shtetasit Eduard Vushaj, 39 vjeç.
Vushaj ishte i dënuar me 16 vite burgim nga Gjykata e Shkodrës në vitin 2016, për veprën penale “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim. Ngjarja për të cilën është dënuar ka ndodhur në vitin 2013, në fshatin Grabom, ku ai së bashku me një bashkëpunëtor ndaluan një automjet dhe, nën kërcënimin e armës, grabitën para dhe vetë automjetin, duke plagosur gjithashtu dy personat që ndodheshin në të.
Autoritetet shqiptare dhe greke po vijojnë bashkëpunimin për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.