Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja suedeze Magdalena Andersson, do të diskutojnë më 28 qershor me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për synimet e tyre për anëtarësim në NATO, të cilat janë bllokuar nga Turqia.
Palët do të zhvillojnë këto bisedime në kuadër të samitit të NATO-s që mbahet këtë vit në Madrid nga 28 deri më 30 qershor.
“Presidenti Niinisto do të takohet nesër në Madrid me presidentin turk Erdogan dhe kryeministren suedeze Andersson, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg”, ka thënë presidenca finlandeze.
Ai ka thënë se takimit do t’i paraprijë një raund bisedimesh mes zyrtarëve finlandezë, suedezë dhe turq, të ftuar nga NATO-ja në Bruksel”.
Pushtimi rus në Ukrainë ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të aplikojnë për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.
Mirëpo presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se është kundër pranimit të këtyre dy shteteve në NATO, duke përmendur atë që e konsideron mbështetje nga ana e tyre për “organizata terroriste”.
Me këtë deklaratë ai u referohet organizatave të ndaluara, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe milicisë kurde, Njësitet për Mbrojtje të Popullit (YPG) në Siri.
Lideri turk u ka bërë thirrje Suedisë dhe Finlandës që të heqin embargo për armët, të vendosura kundër Turqisë më 2019, për shkak të ofensivës ushtarake të Ankarasë në Siri.
Erdogan ka dhënë shenja më 25 qershor se nuk është arritur përparim në synimet e Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s, duke i bërë thirrje Stokholmit që të marrë “veprime konkrete”, ashtu që të shuajë shqetësimet e Ankarasë.
Zyrtarët turq kanë thënë se Ankaraja nuk e konsideron samitin në Madrid si afat të fundit për zgjidhje të mospajtimeve të tyre. REL