Boris Johnson ka mbajtur fjalimin e tij të parë në parlament si kryeministri I ri I Britanisë së Madhe dhe gjatë fjalës së tij ka bërë një zotim me të cilin shumë britanikë mund të mos bien dakort.
Johnson ka premtuar amnisti për afro 500 mijë emigrantë që jetojnë ilegalisht në Britani të Madhe.
Kryeministri Johnson hodhi poshtë planin e emigracionit të paraardhëses së tij Theresa May për emigracionin, duke theksuar vështirësitë e dëbimit masiv të emigrantëve, të cilët ”jetojnë dhe punojnë prej vitesh pa qenë të përfshirë në aktivitete kriminale”.
Ai faktikisht që kur ka qenë Kryetar i Bashkisë së Londrës ka qenë një përkrahës i madh i idesë së amnistisë për emigrantët illegal, ndërkohë që kur ka punuar në qeverinë e paraardhëses së tij Theresa May, ideja e tij për amnisti “nuk gjeti mbështetje të madhe”. Sipas tij, kushdo që ka jetuar në kryeqytet për më shumë se pesë vjet dhe që dëshmojnë “ angazhimin e tyre ndaj shoqërisë britanike”, u duhet dhënë e drejta e qëndrimit, me qëllim që të paguajnë taksat.
Në 2008 ai deklaronte se mirë do ishte që emigrantët ilegal të dërgoheshin nga kishin ardhur, por shtonte se kjo nuk ka për të ndodhur. Ideja e kryeminstrit Boris Johnson për një amnisti, nëse ndodh, tanimë që ai është në krye të Ekzekutivit britanik, përben një lajm të mirë për mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë ilegalisht në Britani prej vitesh.
Edhe pse nuk ka shumë detaje për kohën dhe kushtet e amnistisë, gjasat janë se ajo mund të ndodh, aq më tepër kur kjo vjen nga goja dhe mendja e njeriut që po drejton qeverinë e re britanike.