Një përgjigje flakë për flakë ka qenë ajo e Kejdi Mehmetaj ndaj ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, kthyer vetëm pak minuta më parë.
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, ndalet kësaj here tek mungesa e argumentit nga ana e ministres, të cilën, sipas saj, specializimet pasuniversitare nuk e kanë ndihmuar të kuptojë se mbyllja e komunikimit tregon mungesë argumenti.
Ajo përsërit ftesën për debat live me ministren e Arsimit dhe Sportit, teksa e rendit mes politikanëve të papërgjegjshëm që vetëm respekt dhe dashamirësi nuk kanë për Shqipërinë.
Të gjitha replikat mes dy përfaqësyesve të partive të ndryshme politike, më parë në koalicion qeveritar, nisi pas akuzave të Ramës ndaj LSI-së për ligjin ndaj Arsimit të Lartë, të cilit ajo i ktheu menjëherë përgjigje.
Reagimi i Kejdi Mehmetaj:
E dashur Lindita,
Mos e humbni qetësinë, mosha nuk jua lejon këtë lloj diskutimi me mua .
Me përgjigjen tuaj kuptova se kur humbet argumenti përgjigja kthehet në arrogante dhe përfundimi bëhet qesharak.
Prandaj na duhen të rinjtë në politikë, për të larguar njëherë e mirë kështu politikanësh të papërgjegjshëm që vetëm respekt dhe dashamirësi nuk kanë për Shqipërinë.
Unë nuk gënjej! Nuk kam përse. Për të ndihmuar kujtesën tuaj, ju ftoj të bisedoni me profesorët e nderuar që na kanë shoqëruar në bisedat tona në zyrën tuaj dhe atë të parlamentit.
Ndërsa për të ndihmuar shqiptarët të kuptojnë të vërtetën po e ripërsëris ftesën time për një përballje publike, gjithmonë nëse jeni në gjëndje ta përballoni. Komunikimi publik është mënyra që politikanët kanë adaptuar për të dhënë mesazhe, ndaj më vjen keq që as specializimet pas universitare nuk ju kanë ndihmuar të kuptoni që mbyllja e komunikimit tregon qartazi mugesën e argumentimit tuaj për shkatërrimin që i keni bërë ligjit për arsimin e lartë.
Ju përshëndes