“Arkiva është thesar! Kush ia arkivoi dosjen Çekajt në 2016 për 90 kg kokainë, po me banane!”, kështu e nis shkrimin e tij gazetari Flamur Vezaj.
Në shtjellimin e çështjes së kapjes së 613 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit ai shprehet se prokurori Hajdarmataj nuk ka moral që të dalë dhe të flas për këtë çështje.
Vezaj thotë se ky prokuror më herët ka arkivuar dhe mbyllur dosjen kur kishte referenca nga Policia se Çekajt i ishin kapur 90 kilogramë të tjera kokainë në Ekuador.
REAGIMI I PLOTË:
Mesditën e 22 dhjetorit 2015 pranë Kryesekretarisë së Prokurorisë për Krime të Rënda, Policia e Shtetit sjell një material referues për shtetasin Arbër Çekaj, pronar i kompanisë që importonte nga vendet e Amerikës latine banane. Në material ndër të tjera thuhej ‘se ne port është kapur një kontenier me banane brenda të cilit po me dysheme të modifikuar u gjetën 90 kilogramë kokainë dhe se kontenieri po vinte në Shqipëri për llogari të kompanisë së A.Çekajt’. Ky material u regjistrua në prokurori me numër protokolli 12041 dhe 12041/1 për rastin në fjalë.
Në atë kohë Prokuroria për Krime të Rënda kishte zv.drejtues të emëruar nga Adriatik Llalla prokurorin Besim Hajdarmataj, që tashmë është drejtues. Për llogari të kësaj çështje, Çekaj u thirr në prokurori ku pretendoi në atë kohë që kishte porositur banane dhe jo kokainë.
Pak kohë pas “këtij rrëfimi” në krye të Krimeve të Rënda u emërua si drejtues Besim Hajdaramataj dhe po me firmën e tij dosja e Arbër Çekajt u pezullua dhe kaloi në arkivë me arsyetimin se kolumbianët nuk kishin sjellë materialet.
Vlen të theksohet se Hajdarmataj ishte (është) i besuari i Adriatik Llallës dhe erdhi në krye të këtij institucioni pas qëndrimit disa vjet si drejtues në Durrës, Laç dhe Tropojë, d.m.th që kur Theodhori Sollaku e bëri prokuror, vetëm pozicione drejtuese ka mbajtur.Në kohën e Theodhori Sollakut ka qenë shef në Tropojë, atë të Ina Ramës në Laç dhe kohën e Adriatik Llallës në Durrës dhe Krime të Rënda!
Por t’i kthehemi rastit në fjalë. Besim Hajdarmataj duke qenë se na doli që kishte njohje me Çekajn (me të cilin më thonë se janë takuar edhe në prokurori) për shkak të zonës nga vinte dhe njohjeve të tjera me familjarët e tij, kjo dosje u pezullua në vitin 2016 dhe biznesmeni Çekaj vazhdoi aktivitetin e “bananeve”, aktivitet që na nxori kokën përsëri në 2018 me 613 kilogramë kokainë.
Nuk e di me çfarë morali Hajdarmataj na doli në konferencë për media me policinë, ku me firmën e tij, Arbër Çekajt ia pezulloi dosjen hetimore!
Sa i ndershëm dhe i rreptë në zbatim të ligjit do të jetë këtë radhë Hajdarmataj për t’i shkuar deri në fund këtij hetimi, ku nga eksperienca, dosje të tilla janë mbyllur vetëm me arrestimet në flagrancë!
Po nuk e di edhe prokurorja e Përkohshme çfarë besimi ka te ky drejtues që në kohën e tij në krye të Krimeve të Rënda lulëzoi hashashi dhe ai asgjë, vetëm kur shpërtheu në Itali u kujtua! Madje edhe rastin e drejtuesve të Policisë së Vlorës, të shpallur në kërkim tashmë, i fali në kohën e kryerjes së krimit pas ndërhyrjes se Saimir Tahirit te Adriatik Llalla dhe beniaminit të tij Hajdarmataj!
Edhe sot ai vazhdon të mbahet në detyrë me ‘arsyetimin’ se po heton dosjen e Saimir Tahirit, por siç duket nuk po heton por po e mban zvarrë për të qëndruar në krye të Krimeve të Rënda!
A mund të lihet në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, një person që ka qenë drejtues prokurorie që pas emërimit si prokuror dhe që ka kontribuar në shkatërrimin e këtij sistemi, pa hyrë këtu në dosje konkrete si kjo e Arbër Çekajt etj, ku vendimarrja lë për të dëshiruar!!
Kështu që mos prisni një hetim të thelluar apo ndonjë peshk të madh nga ky institucion! Unë nuk kam besim te Besimi.
p.s fuçitë brenda të cilave kishte kokainë në laboratorin e “Xibrakës 1” kanë hyrë në Shqipëri me kontenierë në dy rrugë nga porti i Durrësit në Nëntor dhe Dhjetor 2014! Kolegë, shikojeni kush drejtonte dhe kush i kontrollonte doganat në atë kohë.
(E.K/FAXWEB)