Në përvjetorin e 112 të pavarësisë së vendit tone, Flamuri Shqiptar është ngritur edhe në Nju Jork në një ceremoni të mbajtur nga kryebashkiaku i këtij qyteti, Eric Adams në Bowling Gren në Lowwe Manhatan.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, një mbështetës i madh i Komunitetit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës falenderoi Shqiptarët për të gjithë kontributin e tyre duke thënë se dy popujt tanë besojnë në të njëjtat gjëra siç është familja, besimi në zot dhe besimi se me punë arrihet gjithçka.
“Jemi krenar të ngremë flamurin Shqiptar krah për krah atij amerikan. Ngritja e këtij flamuri është një falenderim për të gjithë kontributin tuaj në Shtetet e Bashkuara. Ju besoni në atë që unë besoj, ju besoni në familje, ju besoni në zot, ju besoni në Biznes dhe ju besoni në sigurinë publike. Nuk ka asnjë simbol me të cilin mund ta krahasoj respektin që ju i jepni çdo ditë këtij qyteti. Ky 112 vjetor i Pavarësisë së Shqipërisë tregon se diversiteti është ai që na bën të veçantë dhe unë jam shumë I lumtur për bashkëpunimin tone. Ne kemi nevojë për njëri tjetrin. Burrat Shqiptar janë pjesë e policisë së Nju Jorkut dhe ata mbrojnë familjet tona. Djali im ishte vitin e shkuar në Shqipëri dhe më tha “Babi nuk e di nëse do të kthehem” pasi e dua shumë Shqipërinë dhe atë që ajo përfaqëson. Ai më ka kërkuar vazhdimisht të ngre flamurin tuaj këtu. Faleminderit popullit Shqiptar.”, tha Adams.
Përgjatë ceremonisë së mbajtur nga Bashkia e Nju Jorkut u nderuan Bera Mjeku, Fadil Berisha dhe Esad Gjonbalaj për ndikimin dhe kontributin e tyre në Komunitet. Ceremonia u ndoq edhe nga Ambasadori Shqiptar në SHBA Ervin Bushati dhe Përfaqësuesja Përhershme e Shqipërisë në OKB Suela Janina./abcnews.al