Flamurtari ka fituar garën me Vardarin e Maqedonisë dhe ka sjellë në skuadër mbrojtësin Siljanovski.
Goran Siljanovski është zyrtarisht futbollist i vlonjatëve për sezonin e ardhshëm.
Siljanovski është prezantuar dje në ambientet e klubit vlonjat, madje ka qenë vetë trajneri Shpëtim Duro që e ka bërë një gjë të tillë, sipas “Panoramasport”.
Siljanovski është 26 vjeç dhe ka lindur në Tetovë. Ai është 1.77 m i gjatë dhe luan në pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Akordi me futbollistin, që kërkohej me ngulm nga skuadra e Vardarit, ku edhe ka nisur karrierën futbollistik, u arrit në orët e vona të mbrëmjes së të martës.
Ishte trajneri Duro që e ka bindur futbollistin, i cili ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me klubin vlonjat me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër vit. Gjithsesi, do të mbetet për t’u parë paraqitja e futbollistit në kampionat dhe më pas do të vendoset në rast se ai do të firmosë apo jo me skuadrën edhe për sezonin e ardhshëm.
DEKLARATA:
Për trajnerin Duro, Siljanovski do të jetë një nga mbrojtësit më të mirë të Kategorisë Superiore. “Unë kam qenë ai që kam këmbëngulur që lojtari të vijë këtu. Kam njohje me të dhe besoj se është mbrojtësi më i mirë i Superiores. Ai ka qenë pjesë e Kombëtares së moshave, si dhe Kombëtares së madhe të Maqedonisë, si dhe pjesë e ekipeve më të mira në vendin e tij. Është një lojtar shumë i mirë dhe që na bën shumë punë”, tha fillimisht Duro. (B.H/Shuplaka)
Discussion about this post