Antonio Conte ish-trajneri i Italisë, aktualisht pa një ekip, mori pjesë në ceremoninë e “Pankina e Artë” ku Allegri e fitoi për herë të katërt radhazi. Ndërsa u përfol për marrjen në dorë të stolit të Real Madridit, në një intervistë për mediat italiane Conte zbuloi arsyen se pse nuk shkoi në Spanjë.
“Për momentin e shoh veten tim në shtëpi duke parë disa ndeshje dhe duke ndjekur disa nga kolegët e mi. E ardhmja ime në Itali? Kurrë mos thuaj kurrë. Jam italian, ndihem mirë këtu dhe më pëlqen të punoj në Itali por edhe në vende të huaja”, theksoi ish-trajneri i Chelsea.
“Real Madrid? Nga tipi i trajnerit që jam, preferoj të pres deri në qershor për të gjetur një punë të re. Mbase në 2-3 muaj, mund të jem duke stërvitur një skuadër dhe të hedh poshtë këto që sapo thashë”, shtoi ai më tej.
Duke u ndalur tek pretendentët për Champions League, ai tha se për të janë 4-5 skuadra favorite. Në listën e tij bën pjesë edhe Juventus, të cilën e cilësoi si një skuadër të menaxhuar mirë dhe me strukturë të fortë e cila sipas tij ka një mundësi të mirë për të fituar Champions-in.
(B.B/ Faxweb.al)