Pas më shumë se tre viteve qëndrim në zonat e zonat e luftës së Shtetit Islamik (IS), Agnesa Zuzaku bashkë me 31 gra të tjera, 74 fëmijë e nëntë burra u kthyen për në Kosovë nga zonat e konfliktit të Sirisë. Agnesa la në Siri burrin e saj. Ndërkohë që me dy fëmijë erdhi në vendlindje. Express ju sjellë rrëfimin nga fshati Verbicë i Kamenicës.
“Qëndrimi për tre vite e gjysmë në zonat e konfliktit të Shtetit Islamik (IS) ka bërë që Agnesa Zuzaku të kthehet në gjendje të rëndë shëndetësore e psikike në Kosovë. Ajo familjes së saj iu bashkua të hënën pasi javën që shkoi u soll në Kosovë në mënyrë të organizuar me një aeroplan të ushtrisë amerikane bashkë me dhjetëra persona të tjerë, po ashtu pjesëmarrës në zonat e konfliktit në Siri.
Për dy ditë Agnesa bashkë me vajzën e djalin e saj, qëndruan në Qendrën e Azil-Kërkuesve në Vranidoll, pak kilometra larg Prishtinës. Të hënën ata u kthyen për në shtëpitë e tyre”.
Express ka qëndruar gjatë ditës së martë ka qëndruar në fshatin Verbicë të Kamenicës. Aty ka biseduar me familjarë të Agnesës. Ata kanë treguar se vajza e tyre ka pësuar trauma si pasojë e qëndrimit në zonat e konfliktit.
“Vajza është shumë e lodhur, e ligësht. Është në depresion. Dihet se çka është ba atje”, ka rrëfyer për Express, babai i Agnesës.
Ai ka shpjeguar se e bija e tij, iu kthye në shtëpi bashkë me vajzën e djalin e saj. Njëri 5 vite e gjysmë e tjetra 3 vite. Sipas tij, gjendja shëndetësore e fëmijëve është stabile.
Por, historia e dhimbshme për Agnesën nuk ka përfunduar ende. Asaj në Siri i ka vdekur edhe një fëmijë.
“Fëmija janë mirë. Tashmë janë me nënën e tyre. Diku rreth katër vite kanë qëndrua atje. Një vajzë i ka vdekë më herët atje. I ka edhe dy fëmijë të tjerë. Ata tashmë janë mirë”, tregon tutje për gjendjen shëndetësore të Agnesës, prindi i saj.
E, Agnesa bashkë me dhjetë gra të tjera, gjatë pasdites të së hënës janë paraqitur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Prishtinë. Aton në prani të avokatëve kanë mbajtur seancën e parë dëgjimore pas kthimit nga Siria.
“Sot siç është e paraparë sipas kodit të procedurës penale hetuesit na kanë njoftuar se sot do të mbahet seanca dëgjimore për gratë qe janë kthyer nga Siria javën që e lamë pas. Sa kuptova nga hetuesit sot janë 11 gra qe do të hyjnë në seancën dëgjimore”, për Express avokatja Fehmije Gashi Bytyqi, palë mbrojtëse e njërës nga të kthyerat nga Siria.
Ndërkohë nga zonat e konfliktit të Sirisë për në Kosovë tashmë janë kthyer edhe dy nipërit e Lulzim Kastratit nga fshati Karaçevë i komunës së Kamenicës.