Nga Valeria Dedaj
“…Poezia nuk lyp shpjegime, edhe ajo flet për veten në atë formë e strukturë që ka. Ka vetëm një trajtë të qëllueme e të drejtë, një radhitje fjalësh, gjithmonë në gjuhën amtare, përmes së cilës njeriu i paraqitet vetes e rrethit të njerëzve që janë të interesuem… Rrëfej se kam pasë gjithnjë vështirësi, një lloj turpërie të flas për poezinë time apo të lexoj vargje të mia para tjerëve…Por meqenëse kjo ashtë e para herë që botohet diçka prej meje në vendin tim, e ndjej për detyrë t’i jap disa njoftime lexuesit të këtij libri rreth veprës sime letrare: shikue drejtas, ajo ndahet në periudha, përkatësisht me fazat e jetës së një njeriu. Ndonëse periudhat ndryshojnë nga njena tjetra, ato ndërlidhen nga fije të forta sikur të ishte një libër i vetëm nja 2000 faqesh”… Këto fjalë do të shkruante për lexuesin shqiptar Martin Camaj në maj të vitit 1991, Mynih. Këtë shënim ka përzgjedhur edhe botuesi Bujar Hudhri, si parathënie të botimit të “Veprës poetike” (Shtëpia Botuese “Onufri”, 2017), që u promovua dje në Tiranë, në nderim të 25-vjetorit të ndarjes nga jeta, të Martin Camajt. E pranishme në këtë promovim ishte edhe bashkëshortja e tij, Erika Camaj, e cila rrëfeu dje për gazetarët jetën e saj me Camaj, si shkrimtar, por edhe si njeri. Ajo thekson se letërsia ka qenë okupimi i tij i parë në jetë, megjithatë Camaj interesohej edhe për zhvillimet politike në Shqipëri.
Zonja Camaj, në veprën e shkrimtarit Martin Camaj ndihet ndikimi i kulturës shqiptare. Por, si e keni ndier ju këtë gjë në jetën tuaj të përditshme?
Unë u martova me një shqiptar (Martin Camaj). Prandaj, sapo u martova me të jam interesuar intensivisht edhe vet për kulturën shqiptare. Nga jeta me një bashkëshort shqiptar nuk mund të them shumë detaje, por mjafton që t’ju them një shprehje të tij: “Jam shqiptar!”. Kur jemi njohur bashkë me mua fliste gjermanisht, por m’u prezantua, duke thënë: “Jam shqiptar”. Sa herë e pyesje për diçka, ai të përgjigjej: “Jam shqiptar!”. Kur kishim mysafirë u thoshte: “Jam shqiptar”.
Si e përjetonte faktin që krijimtaria e tij ishte i ndaluar në vendin e vet?
Kjo ka qenë drama e jetës së tij, por pjesërisht edhe e jetës sime. Shkrimtarit i duhen lexuesit! Zakonisht thonë se, kur një autor nuk lexohet ai nuk është më kreativ, por me të ndodhi e kundërta, sepse të shkruarit poezi, romane apo novela, për të ka qenë një obsesion.
Sa interesohej ai për politikën në Shqipëri asokohe. A e përmendte regjimin e Enver Hoxhës, izolimin që po përjetonte vendi i tij?
Vetëkuptohet se letërsia ka qenë okupimi i tij i parë. Nuk ka qenë një farë hobi! Përveçse, kësaj ka themeluar edhe Katedrën e Albanologjisë në Mynih. Dua të them se, ka qenë një jetë me shumë punë. Përsa i përket faktit, nëse është marrë me politikë dhe me diktaturën mundet të them shumë thjesht: Po! Mirëpo, nuk ka qenë aktiv në këtë drejtim. Ka qenë përherë koherentë, sepse ka qenë i anëtarësuar në të gjitha gazetat dhe revistat e Shqipërisë dhe Kosovës. Këtë e bënte jo vetëm për shkak të ngjarjeve politike edhe shoqërore, por, edhe për shkak të gjuhës edhe zhvillimit të gjuhës.
A ishte diktatura ajo që e ndau Camajn me lexuesin shqiptar?
Po e ritheksoj se problematika e jetës së tij ka qenë fakti, që nuk ka pasur komunikim me lexuesin në Shqipëri. Mirëpo, mendonte se gjendja e vendit do të ndryshonte.
Dhe së fundmi, si po e përjetoni faktin se, vepra e Camajt po botohet?
Unë e përjetoj në mënyrë pozitive. Ëndrra e tij është plotësuar. Për këtë unë jam shumë i lumtur që është sendërtuar kjo ëndërr. Mirëpo ndihem e trishtuar, që nuk e përjetoi burri im.
Bujar Hudhri: Përse vendosa të botoj Martin Camajn?
Libri në gjuhën shqipe sot është shumë e vështirë që të shkoi te lexuesi. Megjithatë, botuesi Bujar Hudhri ka marrë përsipër të mos ndal së botuari vepra shqiptare. Ai mendon se vetëm kështu, edhe vepra e Camajt mundet që të shkoi pranë lexuesit. “Camaj ka qenë tërësisht i vetmuar! Emri i tij nuk përmendej as në shkollë. Nxënësit dhe studentët nuk e dinin që ai ekzistonte, prandaj kjo ka qenë një vetmi e dyfishtë. Ndërsa, në këto 25 vjet që mendohej se Camaj do ta gjente lexuesin e tij, ndodhi që shqiptarët të emigronin dhe të shkonin në vendin ku ai krijoi”. Vepra e Camajt, sipas Hudhrit, u botua në Shqipëri në momente që letërsia shqipe, fatkeqësisht pati një lloj refuzimi nga lexuesi shqiptar. “Këtë e them me përgjegjësi. Vështirësitë e letërsisë shqipe i njoh prej 25 vitesh. Bëhet fjalë jo vetëm për Camajn, por për të gjithë letërsinë shqipe”. Megjithatë, ai mendon se organizimi i një mbrëmje letrare për këtë shkrimtar në këtë vit jubile për të ka si qëllim të nxisë më shumë lexuesin drejt letërsisë shqipe.
25 vjet pa Martin Camajn
Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Ai mori edukatë klasike në Kolegjin Saverian të Shkodrës. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë. Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Atje nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës “Shejzat” (1957-1975) dhe studion së afërmi botën arbëreshe. Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia. Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 12 mars 1992. Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet e tij mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund të përmenden: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden 1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984; si dhe antologjinë Këngë shqiptare, Düsseldorf 1974.
Fërkimet Kadare-Camaj-Trebeshina
“Përsa u takon fërkimeve mes shkrimtarëve, që përmenden; Kadare-Cama-Trebeshina etj., ato nuk kanë qenë të drejtpërdrejta nga vetë personazhet e përfshirë, por nga ithtarë, fansa të tyre apo shkrimtarë mediokër, që nuk kanë dashur të hyjnë të thelbi i shkrimtarit, por u kanë interesuar vetëm grindjet e sherret. Kjo ka qenë një fatkeqësi për kulturën shqiptare, që më tepër u mor me anën joletrare se sa me thelbin e veprës së tyre. Këto përcaktime kanë shërbyer të përçahet kultura shqiptare! Kam dëgjuar që thonë edhe se pengohet kjo vepër, por unë mendoj se nëse e pengon një vepër ajo është fatlume, sepse pengimi çon në nxitje interesi”. Më tej botuesi shton se vet Kadare e etiketon Camajn si shkrimtarin e lartësive. “Nuk e kam pasur qëllim, që duke e botuar veprën e Camajt, të tregoj se Kadare nuk e ndalon veprën e tij. Unë mendoj se Kadare edhe Camaj kanë një penë dinjitoze edhe çdo botues do të ishte fatlum, që t’i kishte këto në katalogun e tij. Mbase fati më takoi mua”.
Hudhri: Shteti nuk interesohet për kulturën e vendit të tij Por, a mjafton që vepra e Camajt vetëm të botohet? A do të shkojë lexuesi i vendit tonë kjo vepër vetëm nëpërmjet librarive?
Po roli i shtetit cili është? A duhet që hapësirat, që i jepen krijimtarisë së këtij autori në shkolla të jetë më e madhe? Sa e gjen një nxënës apo një student veprën e Camajt në Bibliotekën e Shkollës? “Është e vështirë që një autor shqiptar të hyjë në botimet shqipe. Ka qenë vështirë për shkrimtarët e emigracionit, shkrimtarët që vijnë nga burgjet komuniste, shkrimtarët që kanë pasur vepra në sirtar apo edhe letërsia shqipe në Maqedoni e Kosovë”, thotë botuesi, Bujar Hudhri. Ata, sipas tij, e kanë pasur të vështirë, sepse kanë bërë letërsi shqipe. “Të gjithë, dhe lexuesi shqiptar ka qenë më i prirur të rendë drejtë letërsisë së huaj. E me të drejtë! Mua nuk më takon të flas për shtetin, ai nuk interesohet për kulturën e vet. Asnjë libër nuk është marrë nga këta autorë të mëdhenj, që të çohen në bibliotekat e shkollave”, përfundon botuesi.
Vepra e Camajt gjeti vendin e saj në kulturën shqiptare
Profesor dr. Bardhyl Demiraj, drejtues i degës së Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Munihut ishte i pranishëm dje gjatë promovimit të veprës së Martin Camajt. Ai rrëfen se dëshira e studiuesve edhe botuesit Hudhri ka qenë që të rifreskonim tregun shqipfolës me veprën poetike të Camajt, meqenëse është edhe eliksiri i krijimtarisë së tij letrare. “Mjafton të shfletohet ‘Vepra poetike’ për t’u bindur se kjo përzgjedhje nga krijimtaria e bollshme e tij (4-5 mijë faqe) është ajo që e përfaqëson më mirë thelbin e poetit dhe shkrimtarit Martin Camajt”. Më tej, Demiraj shton se, mundet që të tingëllojë si paradoks, por Camaj ka qenë një shkrimtar i vetmuar, këtë e ka pasqyruar edhe në krijimtarinë e tij. “Camaj nuk ka pasur kontakt direkt me lexuesit. Kjo vetmi mund të kthehet sot si bumerang (për mirë), duke e personalizuar atë në letërsinë shqipe, si një shkrimtar që ka shkruar i vetmuar. Por gjithmonë me një optimizëm sado të vagët, që sot vepra e tij erdhi dhe gjeti vendin e saj në kulturën shqiptare”.
Polemizmat mes Kadaresë dhe Camajt nuk kanë ekzistuar
“Ne i vështrojmë prurjet e literaturës nga një tjetër këndvështrim apo perspektiv. Unë kam qenë fans i Kadaresë, sepse qëkur jam rritur në shkollë ne grindeshim vetëm për dy personalitete të letërsisë shqipe; ata kanë qenë Dritëro Agolli dhe ismail Kadare. Tani më ra mua fati që të merrem konkretisht edhe me botimin kritik të veprës, qoftë letrare ashtu edhe shkencore të Camajt. Unë e ndiej veten të lumtur, që të jem fans i të dyve, sepse prurjet e tyre vetëm sa plotësojnë njëra-tjetrën”. Demiraj mendon se ky botim shkon në të mirë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. “Polemizmat nuk kanë qarkulluar mes shkrimtarëve, por nga persona apo studiues, që janë marrë konkretisht me njërin apo me tjetrin. Unë e njoh Camajn me themel. Njoh edhe arkivin e Camajt në Mynih ku ruhet korrespodenca, por edhe dy dosjet e punës. Në këto dosje nuk kam parë, që Camaj të ketë shkruar në mënyrë mospërfillëse ndonjë kritik të padrejtë ndaj Kadaresë. Por, nëpërmjet dokumentarëve kam dëgjuar dëshmitarë okularë, që kanë qenë të pranishëm në takimin që është bërë qoftë edhe i rastësishëm, midis veprës së Kadaresë dhe Camajt. Është një takim që u përket lartësive përsa u përket këtyre dy shkrimtarëve. Prandaj nuk duhet të marrim parasysh vlerësimet e studiuesve, të Camajt në veçanti apo të Kadaresë”.
Veprat e pabotuara të Camajt
“Camaj si shkrimtar letrar është pothuajse i rezauruar, përpos ndonjë krijimi lirik, që ende nuk e kemi gjetur versionin origjinal. Por, unë kam dëshirë dhe i mëshoj shumë anës, që Camaj është edhe albanolog. Meqenëse vet jam historian gjuhe, Camajn e kam parë edhe si shkrimtar nga ana filologjike më tepër. Camaj ka lënë një dorëshkrim, të transkriptuar prej tij, veprën e Kostandin Krisoforidhit, Fjalori shqip –greqisht, që mbetet ende në një bibliotekë private, sepse ne nuk na është dhënë ende aksesi, që të marrim një kopje të këtij dorëshkrimi”. Prurjet e tij në Albanologji mbeten ende për t’u transmetuar te lexuesit shqiptar, prandaj këtë vit do të dalë një botim me shkrime të shkurtra të Martin Camajt, si albanolog. Botues do të jetë Robert Elsie. “Në një të ardhme jo të largët mendojmë që të botojmë edhe një vëllim tjetër me shkrime të Camajt në gjuhën shqipe, që të mbulohet i gjithë aktiviteti i tij, qoftë letrar edhe ai kritik dhe shkencor”./ shekulli