Në rubrikën ‘Opinion’ kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka folur për fushatën zgjedhore si dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me LSI. Milo tha se partive të vogla iu imponuan rregullat nga dy partitë e mëdha PS dhe PD, ndërsa partia që ai drejton nuk pranoi kërkesën e PS për t’u shkrirë. Milo tha se bashkëpunimi me LSI është i vlefshëm për PDS pasi garantohen vota.
“Fakti kryesor ishte se dy partitë kryesore kërkonin të realizonin një projekt të vitin 2008. Na u imponuan rregullat nga partitë e mëdha, veçanërisht nga PS. Nuk mund të pranonim kërkesën e PS për t’u shkrirë si parti. Nëse ne bëmë marrëveshje me LSI, u detyruam ta bëjmë për të pasur një vlerë bashkëpunuese e cila është e vlefshme për PDS dhe për të mos qenë vetëm formalisht në fushatë. LSI ka numërues dhe na garanton ne paprekshmërinë e votës”- tha Paskal Milo, njofton ‘BalkanWeb’.
Sa i përket fushatës zgjedhore, Paskal Milo u shpreh se kjo fushatë është e çuditshme, pasi nuk ka as bosht dhe as horizont.
“Kjo është një fushatë e çuditshme, pasi nuk ka bosht dhe përmbajte. Flitet për tepsi dhe kusi. Ata e bëjnë ketë qëllimisht pasi nuk kanë çfarë t’u ofrojnë shqiptarëve. Ata e kanë kthyer fushatën në një arenë cirku dhe estrade. Këto janë shenja të alarmit dhe që dëshmojnë se fitorja është larg”- tha Milo.
(M.D/Shuplaka)