Tatjana Roik është nëna e vajzës ruse e cila humbi jetën në Sarandë dhe kishte zgjedhur Ksamilin që t’ia bënte surprizë së bijës, për të festuar 15-vjetorin e saj.
Sippas Panorama, Ksenia ishte fëmija i vetëm i saj dhe këtë vit ajo kishte vendosur që bashkë me të, t’i kalonte pushimet në bregdetin shqiptar.
Gruaja 53- vjeçare e ardhur nga Shën Petersburg, është marrë në pyetje por gjatë gjtihë kohës ajo ka qenë shumë e tronditur nga ngjarja e rëndë.
Më 17 korrik, Ksenia festoi ditëlindjen e saj të 15- të dhe për këtë arsye e ëma e kishte sjellë në Ksamil.
“Ishte hera e parë që vinim në Shqipëri. Ksenian e kisha fëmijë të vetëm dhe doja ta festonte ditëlindjen e saj të 15-të në një vend që nuk kishim qenë më parë. Ksamili m’u duk vendi i duhur, por kurrë nuk e kisha menduar se pushimet tona do të përfundonin kështu”, është shprehur para hetimorëve 53- vjeçarja ruse, raporton “Panorama”.
Gjatë gjithë kohës, pranë i ka qëndruar një mjek, pasi për shkak të traumës së përjetuar ajo thuajse nuk ka qenë në gjendje të flasë.
Burime nga grupi i hetimit, bënë të ditur se Tatjana Roik ka deklaruar se ditën e ngjarjes (e premte, më 21 korrik), ato kishin dalë në det që herët.
“U futëm të dyja në det, por vajza më tha se do të notonte më larg. Ajo dinte mirë not, ndaj në fillim, nuk u merakosa. Më pas më humbi për pak nga sytë dhe nuk po orientohesha se çfarë po ndodhte. Pashë skafin që lundronte me shpejtësi skëterrë aty ku ishte vajza dhe dhashë alarmin tek plazhistët e tjerë. Pashë edhe trupin nga larg që nuk po lëvizte… Erdha për të festuar këtu, nuk e mendoja kurrë këtë fund tragjik”, është shprehur ajo.
(J.V/Shuplaka)