Deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi gjatë fjalës së saj në Kuvend ka folur edhe për rininë shqiptare dhe për dramën e saj që të ardhmen nuk e shikon në vend por diku jashtë.
Në këtë kontekst ajo sulmon ashpër qeverinë dhe programin e saj duke deklaruar se nuk ka asnjë plan për rininë e vendit e cila po largohet nga realiteti i trishtë i problemeve të shumta që ka Shqipëria.
Deputetja e re e Kuvendit deklaroi gjatë seancës parlamentare ku pritet të miratohet programi qeverisës për katër vitet e ardhshme, se diku në Shqipëri një i ri po kërkon mënyrat se si të emigrojë diku larg keqqeverisjes, papunësisë dhe mospërfilljes së shtetit ndaj qytetarëve.
“Përballë këtij realiteti të trishtë ku mbizotëron pamundësia, papunësia dhe mungesa e shpresës për të ardhmen, qëndron me arrogancën më të ftohtë, programi qeverisës që sot pret miratimin nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend”, tha deputetja.
FJALA E PLOTË:
I nderuar Kryetar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Në këto kohë zhvillimesh e ndryshimesh të mëdha për vendin, rajonin e botën, sytë e Rinisë shqiptare janë drejtuar larg vendit tonë. Shumë kanë ikur, shumë të tjerë po tentojnë të largohen. Jam e bindur se edhe gjatë kësaj seance parlamentare ku pritet të miratohet programi qeverisës për katër vitet që do vijnë, diku në Shqipëri është një i ri që po kërkon mënyrat se si të emigrojë diku larg keqqeverisjes, papunësisë dhe mospërfilljes së shtetit ndaj qytetarëve. Përballë këtij realiteti të trishtë ku mbizotëron pamundësia, papunësia dhe mungesa e shpresës për të ardhmen, qëndron me arrogancën më të ftohtë, programi qeverisës që sot pret miratimin nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend.
Nga çfarë duket qartë se është një formulim artistik për të kaluar radhën, kuptohet se kjo qeveri që sot kërkon votimin në Parlament nuk ka një plan konkret se çfarë do bëhet me rininë e vendit, me grupmoshën që përbën numrin më të madh të popullsisë!
Fatkeqësisht, mesazhi i trishtë që i jepet sot rinisë shqiptare është se kjo qeveri edhe pse e trajton veten si të majtë, nuk do ta ketë prioritet mirëqenien dhe prespektivën e të rinjve shqiptarë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri!
Të nderuar kolegë të maxhorancës,
Shqipëria i përket të rinjve!
Ndaj në skicimin e punëve të qeverisë, në krye të detyrave e të prioriteteve duhet të jetë arsimimi cilësor i rinisë së vendit, rritja e shanseve të tyre për punësim në profesione të mirëpaguara, përmirësimi i standartit të jetesës, e si do të vihet në dispozicion shteti për të qenë pranë tyre në sfidën për të ndërtuar të ardhmen këtu në vendin e tyre.
Kam bindjen se nëse do të ishit ulur qoftë edhe një herë të vetme me qëllim serioz e të sinqertë për ti parë në sy e për ti degjuar me zemër të rinjtë për problemet e tyre, serioziteti juaj, ku disa jeni edhe prindër, do të kishte qenë më i madh në trajtimin e problematikave të brezit të ri.
Megjithatë unë jam këtu për të qenë zëri i rinisë ndaj më lejoni t’ju sjell në vëmendje disa aspekte kryesore të jetës plot sfida të rinisë shqiptare që duhet të ishin adresuar me konkretisht e seriozisht në programin qeverisës.
Arsimi dhe Punësimi, dy shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihet jeta e një të riu, janë në momentet më dëshpëruese të tyre.
Çdo vit, familjet shqiptare që kanë në përbërjen e tyre një gjimnazist maturant kalojnë një vit mankthi dhe stresi.
Reforma abuzive Rilindase për arsimin e lartë, kaq e kontestuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim si klienteliste e pa të ardhme, shkatërroi këtë vit ëndrrat e maturantëve për drejtimin që donin të merrte jeta e tyre dhe rëndoi xhepat e familjeve shqiptare që do duhet të paguajnë arsimimin e femijës së tyre te privati.
Mund të jeni e vetmja qeveri e majtë që me dorën e saj fuqizon privatin dhe lë pas dore universitetin publik.
Dhe problemet në arsim nuk mbarojnë këtu.
Këtë më së miri e dinë familjet shqiptare, të cilat vetëm gjatë këtij muaji kanë kaluar një kalvar vuajtjesh për të regjistruar fëmijët e tyre në shkollë, kopësht apo çerdhe. Këtë vit si asnjëherë më parë ka ende prindër të cilët nuk po arrijnë dot të regjistrojnë fëmijët e tyre në arsim. Apo realitetin që nëpër shkolla shitet drogë, kanabis e lëndë të forta për konsum nga adoleshentët dhe asnjë sbën asgjë për këtë problem madhor.
Këtu duhet të fokusohej programi i qeverisë, por fatkeqësisht programi juaj nuk e bën këtë gjë.
PAPUNËSIA ËSHTË NE NIVELET E SAJ MË TË LARTA!
Në radhët e gjata të shqiptarëve të papunëve, shumica prej tyre janë të rinj!
Shumë nga të rinjtë që marrin një diplomë përfundojnë në listën e të papunëee apo duke punuar një zanat tjetër ndryshe nga arsimimi që kanë ndjekur.
Edhe ata pak të rinj që arrijnë të punësohen, paguhen me paga të ulëta që nuk i krijojnë mundësinë që të përballojë kostot e jetesës.
Këtu duhet të fokusohej programi i qeverisë, por fatkeqësisht programi juaj nuk e bën këtë gjë.
Qeveria është pushteti ekzekutiv, merr veprime konkrete, ndaj dhe me vjen habi si në programin e qeverisë nuk parashikohet asnjë zgjidhje konkrete, asnjë mekanizëm se si do luftohet papunësia e se si do i garantohet punësimi të rinjve.
Nga çfarë nuk e gjeta të shkruar në atë program, dëshmohet se ju jeni larguar shumë nga realiteti dhe nga jeta që jetojnë të zgjedhurit tuaj.
Të rinjtë e të rejat e vendit gjenden të pashpresë, të pamundur të planifikojnë të ardhmen e tyre: Çfarë arsimimi do të ndjekin, çfarë do të bëhen kur të rriten, çfarë do të punojnë, kur do krijojnë familje…
E kur projektojnë veten e tyre pas 5 vitesh, të gjithë të rinjtë e shohin veten larg Shqipërisë!
Jo se nuk dinë, jo se nuk kanë ëndrra për të ardhmen, por shteti, politikat që ju keni prodhuar dhe keqqeverisja juaj janë shumë larg interesit të të rinjve!
Ne duhet të krijojmë një Shqipëri ku rinia jonë dëshiron të qëndrojë në Shqipëri dhe të rritet së bashku me vendin; fatkeqësisht ky program nuk e realizon këtë!
Unë nuk mundem dot ta mirëkuptoj guximin e Kryeministrit për të kërkuar miratimin parlamentar për të ndërtuar “Shqipërinë që duam” pa një dedikim e pa një vizion, pa një përkujdesje të veçantë për rininë!
Ndër të tjera ne u betuam më datë 9 shtator se “Do të punojmë me të gjitha fuqitë tona për përparimin e Atdheut dhe mirëqenien e popullit tonë.”
Fatkeqësisht programi që kjo qeveri ka paraqitur, kjo fletëpalosje me fjalë të radhitura bukur dhe pa një përcaktim të qartë si do zhvillohet vendi, për mua është një dokument pa vlerë që nuk përfaqëson interesat e qytetarëve, nevojat e tyre për një jetë më të mirë e mbi të gjitha nuk ka asnjë vizion si do të ndërtohet jeta e të rinjve të vendit!
Të nderuar kolegë!
Nuk e di kush do të gjejë të arsyeshme mbështetjen e tij me votë, por sigurisht unë nuk do të jem mes tyre, pasi ky program nuk i adreson problematikat e rinisë!
Faleminderit!
(B.H/Shuplaka)