Politologu Gent Kaprata ka qenë i ftuar në studion e lajmeve në Fax News ku ka komentuar bumin e ndërtimeve në Tiranë, si efekt i parave të pista që qarkullojnë në treg.
Urbanisti u shpreh se në rast se nuk do të qarkullonin paratë e drogës, do të ishte e pamundur që të ndërtohej pasi kërkesa në treg për apartamente ka rënë ndjeshëm.
‘’Po ndërtohen pallate që nuk i duhen kujt, dhe nuk janë një produkt i kërkuar në treg. Kasta që drejton sot ekonominë dhe politikën shqiptare është e paaftë, për të nisur një erë të re demokracie, dhe një erë të pastër të ekonomisë së tregut.
Në momentin që dështuan për ta bërë këtë, e vetmja gjë që dinë të bëjnë është të vazhdojnë ndërtimin e pallateve, shtuar këtu dhe faktin se ka shumë para të zezë në treg, që i bie të jenë të paligjshme.
Të gjithë e dinë që Shqipëria është mbjellë e gjitha me hashash, dhe paratë që janë fituar nga kjo duhet që të investohen, dhe është gjetur mundësia e investimit për ndërtimin”, u shpreh Kaprata.
Ai tha më tej se edhe ndërtimi i Sheshit Skënderbej, duke e kthyer në një pedonale, është e papranueshme, sakohë që ajo është një hapësirë jofunksionale.
‘’Sheshi Skënderbej më ka bërë mua pjesë të njerëzve që shkruajnë, pasi kam që nga viti 2009 që e trajtoj në reagimet e mija.
Ky shesh ka qenë shumë i rëndësishëm në trajtesat e mia, dhe një nga arsyet që unë mendoj se sheshi nuk duhej kthyer në pedonale, është fakti se një i ri nuk shkon atje, pasi nuk ka asnjë aktivitet.
Dhe për këtë shkak Bashkia ka organizuar një sërë aktivitetesh dhe koncertesh të sforcuara, që do të thotë se qytetarët nuk shkojnë atje për sheshin po për koncertin. Ajo është zemra e të gjithë rrjetit rrugor”, u shpreh Kaprata.
(E.K/FAXWEB.AL)