Fluks i lartë është shënuar në pikën kufitare të Kapshticës që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, ku qindra emigrantë janë detyruar të presin me orë të tëra për të kaluar në territorin grek.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani kanë dalë nga territori shqiptar për në Greqi rreth 5000 shtetas dhe 1600 automjete, ndërsa në drejtim të Shqipërisë janë futur rreth 3500 shtetas me 1000 automjete. Pritjet e gjata kanë shkaktuar indinjatë mes qytetarëve, të cilët kanë kërkuar përmirësim të menaxhimit të situatës në kufi.
Për të këtë situatë, drejtuesit e Policisë Kufitare në Kapshticë kanë zhvilluar një takim me homologët grekë, me qëllim që të shtoheshin sportelet nga pala greke.
Menjëherë pas këtij komunikimi, autoritetet greke kanë hapur një sportel shtesë dhe janë duke punuar për përshpejtimin e procedurave të kalimit, me synimin për të eliminuar radhët e gjata dhe për të lehtësuar fluksin.
Ndërkohë, Policia Kufitare shqiptare në Kapshticë po punon me kapacitet të plotë, për të garantuar një menaxhim sa më të mirë të situatës në terren, sidomos në këtë periudhë të rritjes së lëvizjes së qytetarëve.