Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, nuk do të ndryshojë asgjë sa i përket fluturimeve drejt këtij shteti nga Shqipëria. Lajmi është konfirmuar dhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil, në një postim të bërë dje në rrjetet sociale.
“Sot në mesnatë Mbretëria e Bashkuar del përfundimisht nga Bashkimi Evropian.
Sqarohen të gjithë të interesuarit se asgjë nuk do të ndryshojë në fushën e aviacionit civil për pasagjerët dhe kompanitë ajrore.
Fluturim të mbarë dhe të sigurt të gjithë qytetarëve të dy shteteve që kanë planifikuar të udhëtojnë midis dy kryeqyteteve”, njofton Aviacioni Civil.
Kujtomë se Britania e Madhe i ka dhënë fund anëtarësisë 47-vjeçare në bllokun evropian, duke e lënë atë me 27 anëtarë.
Britania tani e tutje do të konsiderohet nga BE-ja si shtet i tretë dhe Përfaqësimi i saj i Përhershëm në këtë bllok do të shndërrohet në mision të jashtëm.
Pas largimit, Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një periudhë tranzitore 11-mujore, në të cilën do të zbatojë rregullat e bllokut evropian mirëpo nuk do të përfaqësohet në institucionet e tij.
Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Vendimi për largimin e Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.
(E.K/Faxweb.al)