COVID-19 prej kohësh ka paralizuar trafikun sidomos atë ajror kudo në botë dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Aviacioni Civil Shqiptar në publikimin e radhës bëri me dije se nga Janari deri në Maj, në hapësirën e kontrolluar nga Shqipëria ka pasur një mesatare prej 243 fluturime ditore (duke përfshirë dhe mbikalimet), ose 47,1% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019.
“Rënia reflekton impaktin masiv të krizës së COVID-19 dhe është më madhe kur fokusi është vetëm në periudhën Prill-Maj me 59 fluturime (IFR) në ditë ose 89,9% më pak se njëjta periudhë e vitit 2019”.
Ajo që bie në sy janë qytetet e fluturimeve që kanë ndryshuar ndjeshëm në raport me një vit më parë por që lidhet edhe me faktin se këto fluturime kanë pasur në fokus riatdhesimet.
Zhvillimi i segmenteve të tregut ka pasur ndryshime gjithashtu krahasuar me vitin e kaluar. Për Prill- Maj, gjithë fluturimet kargo llogariten në 40% të mesatares së trafikut për Shqipërinë në 2020 krahasuar me 14% në vitin 2019.
Riatdhesimet
Autoriteti i Aviacionit Civil nënvizon në buletin se edhe gjatë muajit Maj 2020 Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ka vazhduar të jetë i mbyllur për fluturime të rregullta ndërkombëtare civile tregtare si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
“Ndërkaq në datat 01.05.2020 – 31.05.2020 siç është bërë e ditur dhe në bashkëpunim me shoqërinë ajrore AIR ALBANIA kanë vazhduar operimet me kryerjen e fluturimeve të riatdhesimit të shtetasve shqiptarë që kishin mbetur jashtë vendit.
Nga dy aeroportet e Italisë (Romë dhe Milano) janë kryer 18 fluturime dhe janë transportuar rreth 3 200 pasagjerë; Nga Gjermania, nëpërmjet aeroportit të Frankfurtit janë kryer 6 fluturime dhe janë transportuar rreth 1100 pasagjerë; Po ashtu nga Britania e Madhe, Zvicra, Franca dhe Turqia janë transportuar gjithsej 1600 pasagjerë për në Shqipëri, nëpërmjet rrugës ajrore me avionët e shoqërisë AIR ALBANIA.” thuhet në buletin. Monitor